'Food noise', kur mendimi për ushqimin kthehet në obsesion
Shprehja “food noise” është bërë gjithnjë e më e përhapur në rrjetet sociale. Nuk bëhet fjalë për një term mjekësor apo një patologji, por për një përkufizim të krijuar në vitin 2023 nga një studiues i Universitetit Penn State. Ai përdoret për të përshkruar mendimin e vazhdueshëm për ushqimin, edhe kur nuk ka ndonjë arsye reale apo ndjesi urie.
Ky “zë i brendshëm” shpesh nxitet nga stimuj të jashtëm si aroma, pamja apo reklama e një ushqimi të preferuar. Truri përqendrohet vetëm tek ajo dhe mund të çojë në zgjedhje të gabuara, abuzim me ushqime jo të shëndetshme dhe çrregullime në sjelljen ushqimore.
Një studim i fundit tregoi se shumica e personave me probleme peshe, mbipeshë apo obezitet, kanë mendime të vazhdueshme për ushqimin dhe e njohin termin ‘food noise’. Përhapja e tij në rrjetet sociale ka edhe pasoja negative: disa përdorues, veçanërisht më të rinjtë dhe të ndjeshëm ndaj kontrollit të peshës, mund të mendojnë se u duhet një ilaç për ta kapërcyer këtë gjendje. Shpesh lidhet me përdorimin e medikamenteve si Ozempic, fillimisht i krijuar për diabetikët, por që sot përdoret edhe për humbje peshe.
Megjithatë, mënyra më e shëndetshme për ta menaxhuar është krijimi i një marrëdhënieje të ekuilibruar me ushqimin: të marrësh kohën e nevojshme gjatë ngrënies, të shijosh çdo kafshatë dhe të zgjedhësh ushqime që japin ndjesi të gjatë ngopjeje. Ushqimet e rekomanduara janë ato të pasura me fibra dhe proteina si perime, bishtajore, drithëra, arra, peshk e avokado.
Është e rëndësishme të kuptohet se ‘food noise’ nuk është uria e vërtetë. Shpesh është thjesht një dëshirë që përfundon duke u kënaqur me ushqime të përpunuara e të pasura me sheqer, të cilat rrisin ndjesinë e oreksit dhe në plan afatgjatë ndikojnë negativisht në shëndet, duke favorizuar shtimin në peshë dhe obezitetin.