SYRI TV/ Famullia e Shkrelit kamp veror për të rinjtë, synim sensibilizmi për të mos u larguar

Largimi i të rinjve drejt emigrimit është plaga më e madhe që po shoqëron vendin tonë gjatë viteve të fundit. Për të luftuar sadopak këtë problem social, Famullia e Shkrelit në Malësinë e Madhe ka marrë një nismë interesante. Ajo ka hapur një kamp veror, në mënyrë që të rinjtë e zonës, por jo vetëm, të angazhohen në aktivitete të ndryshme, ndërsa drejtuesit i bëjnë apel shtetit të bëjë më shumë në këtë drejtim.

Për të ndalur vrullin e madh të largimit të të rinjve nga vendi, Famullia e Shkrelit në Malësinë e Madhe ka marrë një nismë për përfshirjen dhe angazhimin e tyre në aktivitete të ndryshme. Mes freskisë dhe magjisë që të ofrojnë Alpet e Shqipërisë, është hapur kampi veror “Artizan i Shpresës”. Kjo zonë vit pas viti po përballet me sfida të mëdha, ku plaga më e rëndë është shpopullimi, dhe për të luftuar disi këtë fenomen, atë që nuk e bëjnë institucionet qeveritare, mundohet që ta bëjë Famullia e Shkrelit. Dikur mbi 3 mijë banorë, sot në këtë fshat kanë mbetur vetëm 1 mijë të tillë, ndërsa pjesa tjetër janë larguar drejt emigrimit. Famullitari Dom Nikolin Sheldija flet në lidhje me këtë iniciativë, ndërsa ka edhe një apel ndaj institucioneve që të bëjnë më shumë për këto zona.

Këtë vit, kampit i janë bashkuar edhe 20 të rinj skautë nga Ferrara e Italisë, të cilët kanë udhëtuar për të ndarë përvojat e tyre dhe për të ndërtuar ura miqësie me bashkëmoshatarët shqiptarë. Përmes lojërave, aktiviteteve edukative dhe punëtorive artizanale, kampi synon të japë një frymë të re në këtë zonë.