FOTO/ Goma në flakë dhe autostradë e bllokuar në Tel Aviv: Rritet zemërimi midis izraelitëve që kërkojnë lirimin e pengjeve

Izraelitët kanë nisur sot një ditë kombëtare protestash, duke bllokuar autostradat dhe duke djegur goma, teksa kërkojnë një marrëveshje armëpushimi në Gaza që do të siguronte lirimin e pengjeve. Protestuesit e quajtën demonstratën e sotme “Një Ditë Lufte”, ndërsa Forumi i Pengjeve dhe Personave të Zhdukur njoftoi se ajo nisi me vendosjen e flamujve të mëdhenj izraelitë përpara degës së ambasadës amerikane në Tel Aviv.

Trafiku në disa prej rrugëve kryesore të qytetit u bllokua, ndërsa skenat e djegies së gomave përshkruan një zemërim në rritje ndaj qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Më vonë gjatë ditës, kabineti i sigurisë së Izraelit pritet të diskutojë planet për një ofensivë të madhe në qytetin e Gazës, raportoi Reuters.

CNN thekson se protesta të tilla zakonisht zhvillohen gjatë fundjavës, ndërsa fakti që kjo valë demonstratash ndodhi në mes të javës shihet si shenjë e presionit publik që po rëndohet mbi qeverinë. Ende pa një përgjigje të qartë nga Izraeli, situata mbetet e paqartë rreth propozimit të fundit të Hamasit për armëpushim, i pranuar prej tij pothuajse një javë më parë.

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi gjatë fundjavës se lufta në Gaza do të përfundonte brenda “dy deri në tre javëve të ardhshme”, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ai tha se kishte folur me Netanyahun, duke e bërë të qartë se konflikti duhej të përmbyllej sa më shpejt.

Ndërkohë, Izraeli po përballet me një valë të re kritikash ndërkombëtare pas një sulmi të dyfishtë në Spitalin Nasser në jug të Gazës, ku u vranë të paktën 20 persona, përfshirë pesë gazetarë. Ky incident ndodhi vetëm dy javë pasi disa gazetarë të Al Jazeera u vranë në një sulm ndaj qytetit të Gazës, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë raportimin e pavarur nga brenda enklavës.