Reuters: SHBA dhe Rusia diskutojnë për marrëveshje energjetike si pjesë të përpjekjeve për paqe në Ukrainë

Zyrtarë amerikanë dhe rusë kanë zhvilluar bisedime konfidenciale për disa marrëveshje energjetike gjatë këtij muaji, paralelisht me përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë. Lajmi raportohet nga agjencia Reuters, e cila citon pesë burime të njohura me çështjen.

Sipas burimeve, këto marrëveshje u propozuan si stimuj për ta nxitur Kremlinin të pranojë një zgjidhje paqësore dhe për të hapur rrugën drejt lehtësimit të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë.

Diskutimet përfshinë mundësinë e rikthimit të kompanisë Exxon Mobil në projektin e madh energjetik Sakhalin-1 në Lindjen e Largët Ruse, si dhe blerjen e pajisjeve amerikane nga Rusia për projektet e saj të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Gjithashtu, sipas një raportimi më të hershëm të Reuters më 15 gusht, në tavolinë ka qenë edhe ideja që SHBA të blejë anije akullthyese me motorë bërthamorë nga Rusia, një lëvizje e pazakontë në klimën aktuale të tensionuar.

Bisedimet janë zhvilluar gjatë vizitës së të dërguarit të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, në Moskë, ku ai është takuar me presidentin rus Vladimir Putin dhe me përfaqësuesin për investime të Kremlinit, Kirill Dmitriev, sipas tre burimeve.

Dy burime të tjera konfirmuan se këto çështje janë diskutuar gjithashtu brenda Shtëpisë së Bardhë, me vetë Donald Trump-in. Po ashtu, tema u trajtua dhe gjatë samitit të mbajtur në Alaskë më 15 gusht, sipas një burimi tjetër.

“Shtëpia e Bardhë dëshironte që samiti i Alaskës të prodhonte tituj lajmesh për një marrëveshje të madhe investimi”, tha një nga burimet për Reuters.

“Kështu Trump do të ndjente se kishte arritur një sukses konkret.”

Sipas Reuters, asnjë nga burimet e kontaktuara nuk pranoi të identifikohej, pasi nuk ishin të autorizuara të flisnin publikisht.

Exxon Mobil gjithashtu refuzoi koment, ndërsa Rosneft dhe Novatek nuk iu përgjigjën kërkesave të Reuters për një deklaratë.

Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë, në një përgjigje zyrtare për agjencinë, theksoi se Trump dhe ekipi i tij për sigurinë kombëtare vazhdojnë të punojnë me zyrtarë rusë dhe ukrainas për t’i dhënë fund luftës, por se “nuk është në interesin e SHBA që këto bisedime të komentohen publikisht”.