Negociatat për Antony në Manchester, sulmuesi pret të rikthehet në Spanjë
Real Betis po bën përpjekjen e fundit për të marrë sërish në huazim brazilianin Antony nga Manchester United. Futbollisti ka dhënë prej kohësh “po”-në e tij, por vendimi final i takon klubit anglez.
Një delegacion i Betis ndodhet në Manchester që prej ditës së djeshme për të zhvilluar bisedimet përfundimtare, me shpresën që Antony të rikthehet në “Heliópolis”, aty ku u ndje i lumtur sezonin e kaluar. Oferta e spanjollëve është një huazim njëvjeçar, pa klauzolë blerjeje, por nuk bind ende United, i cili kërkon të përfitojë financiarisht nga lojtari.
Problemi kryesor mbeten pagat dhe kufijtë e Fair Play Financiar në La Liga, që e vështirësojnë marrëveshjen. Pavarësisht kësaj, Antony dëshiron të rikthehet në kampionatin spanjoll, ku arriti formën e tij më të mirë. Edhe trajneri Manuel Pellegrini e pranoi në konferencë për shtyp: “Uroj të kthehet”, duke e konsideruar sulmuesin një element kyç për projektin e tij.
Megjithatë, pritja e Betis-it nuk mund të zgjasë pa fund. Klubi ka gati një plan B nëse Antony nuk kthehet, pasi vendimet për përforcime të tjera varen nga kjo lëvizje. United, nga ana e tij, ende nuk ka dhënë përgjigje përfundimtare, edhe pse synimi i tij mbetet shitja e lojtarit për një shifër rreth 40 milionë euro.