Drama në majën e Pico Pobeda, alpinistja ruse e bllokuar në 7.000 metra lartësi dhe me këmbë të thyer

Historia dramatike e alpinistes ruse Natalia Nagovitsyna ka tronditur botën e alpinizmit. Më 12 gusht, gjatë zbritjes nga Pico Pobeda në Kirgizstan, maja më e lartë e vargmaleve Tien Shan me 7.439 metra, ajo pësoi një aksident të rëndë duke thyer këmbën.

Fillimisht, guida e saj Roman dhe disa shokë të ekspeditës, mes tyre alpinisti italian Luca Sinigaglia, arritën ta ndihmonin dhe ngritën një kamp bazë më poshtë. Por kushtet ekstreme atmosferike, me stuhi bore, erëra të forta dhe temperatura deri në -30°C, e bënë jashtëzakonisht të vështirë çdo përpjekje për ta shpëtuar.

Në ditët në vijim, Sinigaglia dhe gjermani Günther u ngjitën sërish lartësi të mëdha për t’i çuar asaj një thes gjumi dhe ushqime. Fatkeqësisht, gjatë këtyre përpjekjeve Sinigaglia humbi jetën nga një edemë cerebrale.

Më 19 gusht, një dron që përshkroi zonën arriti të konfirmonte se Nagovitsyna ishte ende gjallë, ndonëse e bllokuar në rreth 7.000 metra lartësi. Megjithatë, autoritetet kirgize njoftuan së fundmi se kanë ndalur zyrtarisht operacionin e kërkimit, duke e konsideruar të pamundur shpëtimin e saj.

Familja, dhe veçanërisht djali i alpinistes, vazhdon të apelojë që kërkimet të mos ndërpriten. Ai ka publikuar edhe pamje të reja që pretendojnë të tregojnë se Nagovitsyna është ende gjallë.

Pavarësisht kësaj, ekspertët janë të bindur se mbijetesa e saj për kaq shumë ditë në kushte kaq ekstreme është praktikisht e pamundur. “Është e pamundur të arrihet deri atje. Të gjithë ekspertët besojnë se ajo nuk mund të jetë më gjallë”, deklaroi Adil Chargynov, zëdhënës i Ministrisë së Situatave të Jashtëzakonshme të Kirgizstanit.