Sulmi i Izraelit mbi spitalin në Gaza mund të konsiderohet krim lufte
Nga Peter Beaumont/ The Guardian
Sulmi i dyfishtë i ushtrisë izraelite mbi spitalin Nasser në Gaza, ku humbën jetën pesë gazetarë mes tyre punonjës të Associated Press, Reuters, NBC dhe Al Jazeera, shihet si një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar.
Sulmi kishte si objektiv një objekti civil, konkretisht një spitali që vrau civilë, punonjës shpëtimi dhe gazetarë, kategori që mbrohen nga ligji ndërkombëtar.
Ndërsa forcat e Mbrojtjes së Izraelit, - të cilët kanë vrarë rreth 200 gazetarë gjatë luftës në Gaza, - u përpoqën ta paraqesin ngjarjen si “gabim”, por faktet tregojnë se kjo duket më shumë si politikë e qëllimshme.
Çdo element i kësaj ngjarjeje – sulmi i një spitali funksional, e gazetarëve dhe punonjësve të shpëtimit, e pacientëve të plagosur që trajtoheshin aty – mjafton vetë për të ngritur akuza për krime lufte. Së bashku, sipas ministrit të jashtëm britanik David Lammy, incidenti është “horror” i pastër.
Përveç 20 të vrarëve, 50 persona të tjerë u plagosën, mes tyre pacientë në gjendje kritike, sipas kreut të OBSH, Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, i cili theksoi:
“Ndërkohë që njerëzit në Gaza po vdesin urie, qasja e tyre e kufizuar në kujdes shëndetësor po shkatërrohet edhe më shumë nga sulmet e përsëritura. E themi sa më fort që mundemi: NDAL sulmet ndaj shëndetësisë. Armëpushim tani!”
Edhe Zyra e OKB për të Drejtat e Njeriut reagoi: “Vrasja e gazetarëve në Gaza duhet ta tronditë botën – jo ta heshtë, por ta shtyjë drejt veprimit, duke kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi. Gazetarët nuk janë objektiv. Spitalet nuk janë objektiv.”
Ka dokumentime të shumta mbi rastet kur Izraeli ka goditur spitale dhe personel mjekësor, duke i vrarë, plagosur apo rrëmbyer ata. Veçanërisht problematike është praktika e “sulmit të dyfishtë”, ku pas një sulmi kryhet një tjetër në të njëjtën zonë kur mbërrijnë ekipet e shpëtimit dhe civilët. Një hetim i përbashkët nga revista izraelite +972 Magazine dhe Local Call ka raportuar se kjo taktikë po përdoret gjithnjë e më shpesh.
Edhe pse ushtria izraelite pretendon se nuk synon gazetarët, deklaratat e zyrtarëve të saj – që shpesh i etiketojnë gazetarët palestinezë si “terroristë” – tregojnë të kundërtën. Pas vrasjes së gazetarit të njohur të Al Jazeera-s, Anas al-Sharif, bashkë me katër kolegë të tjerë në ambientet e një spitali, Izraeli pretendoi pa prova të besueshme se ai ishte pjesë e një “celule të Hamasit”. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) e cilësoi këtë rast si “vrasje të qëllimshme”.
CPJ kishte paralajmëruar më herët se jeta e Sharif ishte në rrezik, pasi një zëdhënës i ushtrisë izraelite e kishte kërcënuar publikisht. “Izraeli ka vrarë të paktën gjashtë gazetarë të Al Jazeera-s gjatë kësaj lufte. Akuzat e pabazuara janë një përpjekje për të justifikuar ekzekutimin e tij,” theksoi CPJ.
Që nga fillimi i luftës, gazetarët janë strehuar pranë spitaleve për të kërkuar mbrojtje relative dhe qasje minimale në energji elektrike. Por edhe aty janë bërë objektiv. Për disa zyrtarë të OKB-së, këto sulme tregojnë se Izraeli po synon të eliminojë dëshmitarët e vetëm të gjallë të urisë dhe shkatërrimit në Gaza.
Shefi i agjencisë së OKB për palestinezët, Philippe Lazzarini, akuzoi Izraelin se “po hesht zërat e fundit që raportojnë për fëmijët që po vdesin në heshtje nga uria”. Në të njëjtën linjë, është dhe koordinator i urgjencës për Mjekët pa Kufij në Gaza, Jerome Grimaud, i cili nderoi gazetaren e vrarë Mariam Dagga
“Prej 22 muajsh kemi parë si objektet shëndetësore janë rrafshuar, gazetarëve u është mbyllur goja dhe punonjësit e shëndetit janë varrosur nën rrënoja nga forcat izraelite. Dëshmitarët e vetëm të fushatës së tyre gjenocidale po eliminohen me qëllim. Kjo duhet të ndalet menjëherë” tha Grimaud. /The Guardian/