E djathta në Shqipëri dhe ridimensionimi i saj

Sot bëhen votimet në PD. Pa dashur të hyj në polemikat e PD-së, por dhe si aleat i Partisë Demokratike do uroja qe PD të jetë sa më e fortë dhe e bashkuar.

Jo vetëm procesi i Bashkimit dhe forcimit të PD-së si forca kryesore e opozitës, por dhe riorganizimi i të djathtës është vendimtar

Partitë tradicionale si Legaliteti dhe Balli Kombëtar (të dy partitë) duhet të jenë pjesë e rëndësishme e këtij riorganizimi.

Të përndjekurit politik dhe pronarët janë jo vetëm historia e të djathtës për të cilët duhet të krenohemi të gjithë, por dhe një forcë e jashtëzakonshme politike dhe elektorale injorimi i të cilëve ka sjellë pasoja të mëdha në peshën politike të së djathtës. Marrëdhënia me ta duhet të ridimensionohet dhe ata duhet të jenë pjesë e vendimmarrjes dhe konkurrimit elektoral.

Po ashtu njëherë e mirë profili ynë në mbështetje të biznesit duhet jo vetëm të shpjegohet si mundësia e vetme e zhvillimit ekonomik të vendit, por edhe si një marrëdhënie e përditshme shumë solide që duhet të synojë në një angazhim të përditshëm për të fituar besimin dhe mbështetjen e tyre.

Rinia ka qenë forca e të djathtës dhe luftëtarët e lirisë, pragmatizmi i së majtës duke e kushtëzuar të ardhmen e tyre me pushtetin dhe punën e shtetit ka krijuar dhe do krijojë një hendek të madh në demokracinë tonë të manipuluar nga Etatizmi i së majtës, prandaj angazhimi i tyre si forcë lëvizje drejtuese dhe jo skalion mbështetës është domosdoshmëri.

Pushtetit i marrë i së majtës që po shkatërron çdo vlerë tradicionale dhe konkurruese, me blerjen e votës, varfërinë dhe largimin masiv nga Shqipëria kërkon një gjykim dhe politikë krejt ndryshe të së djathtës.

Rama po shkatërron çdo vlerë pozitive të shoqërisë sonë duke tentuar që korrupsionin e qeverisë dhe të majtës ta kthejë në një korrupsion të pranueshëm të shoqërisë.

E djathta duhet të jetë një strukture politike dhe organizative vendimmarrëse ndoshta në një organizim federativ ku gjithë faktorët e saj të jenë pjesë e gjykimit dhe vendimmarrjes.

E djathta është një mozaik vlerash që bazohet tek Liria dhe Besimi, në luftë me pushtetin që kufizon lirinë dhe vendimmarrjen tonë.