Franca i kthen Madagaskarit kafka njerëzore nga epoka koloniale, mes tyre ajo e mbretit Toera
Franca i ka kthyer të martën Madagaskarit tre kafka që datojnë nga periudha koloniale, mes të cilave njëra besohet se i përkiste një mbreti malgas të cilit iu pre koka nga ushtria franceze gjatë një masakre në fund të shekullit XIX.
Kafka e supozuar e mbretit Toera, i vrarë në vitin 1897 në fillimet e kolonizimit dhe e marrë më pas në Francë si trofe, ka qenë e ruajtur deri tani në Muzeun Kombëtar të Historisë Natyrore në Paris, së bashku me qindra mbetje të tjera njerëzore nga Madagaskari. Të transportuara në valixhe të mbuluara me pëlhura tradicionale, tre kafkat e përkatësisë etnike Sakalava iu dorëzuan simbolikisht autoriteteve malgase gjatë një ceremonie në ministrinë franceze të Kulturës dhe do të kthehen në ishullin e Oqeanit Indian më 31 gusht, ku do të varrosen.
Ky kthim “shënon një ngjarje historike,” theksoi ministrja e Kulturës Rachida Dati. “Këto kafka janë futur në koleksionet kombëtare në rrethana që në mënyrë objektive shkelin dinjitetin njerëzor dhe në një kontekst dhune koloniale,” u shpreh ajo për mediat. Mbreti Toera ishte vrarë gjatë një sulmi vdekjeprurës të trupave koloniale franceze në Ambiky, ish-kryeqytet mbretëror i rajonit Menabe.
Gjatë një vizite në Madagaskar në muajin prill të këtij vitit, presidenti francez Emmanuel Macron e kishte shprehur dëshirën për këtë kthim, me synimin për të krijuar “kushtet” për një “falje” përballë “faqeve të përgjakshme dhe tragjike” të kolonializmit (nga viti 1897 deri në pavarësinë në 1960). Nga pikëpamja juridike, ky kthim shënon gjithashtu zbatimin e parë në Francë të një ligji të ri të miratuar në fund të vitit 2023, i cili lehtëson rikthimin e mbetjeve njerëzore duke e bërë të mundur largimin e tyre nga koleksionet publike pa kaluar përmes një procedure ligjore të posaçme.
E pranishme në Paris, ministrja e Kulturës së Madagaskarit e përshëndeti këtë si një “gjest me rëndësi të madhe.” Këto kafka nuk janë “thjesht objekte koleksionesh,” deklaroi Volamiranty Donna Mara. “Ato janë lidhja e padukshme dhe e pashlyeshme që bashkon të tashmen tonë me të kaluarën.”
“Mungesa e tyre për më shumë se një shekull, përplot 128 vjet, ka qenë një plagë e hapur në zemrën e ishullit tonë,” shtoi ajo.
Më tej Dati sqaroi se puna e kryer nga shkencëtarët para rikthimit të tyre kishte mundësuar që “me siguri” të përcaktohej se këto kafka i përkisnin komunitetit Sakalava, megjithatë vetëm “mund të supozohej” që njëra prej tyre ishte ajo e mbretit Toera.