Izraeli mes protestave, Netanjahu thërret kabinetin qeveritar! BE: E papranueshme vrasja e gazetarëve në Gaza

E ndërsa Izraeli po përballet me protesta për arritjen e një marrëveshjeve për lirimin e pengjeve, Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, do të thërrasë kabinetin e tij të sigurisë në orën 16:00 lokale (15:00 në Shqipëri) për të diskutuar situatën në Gaza dhe përpjekjet për një marrëveshje mbi të marrëshmit.

Sipas zyrës së tij, e cila u raportua nga Times of Israel, nuk është bërë e qartë nëse Netanyahu do të diskutojë për armëpushimin ose për propozimin e lirimit gradual të pengjeve, të cilin Hamas kishte deklaruar se e kishte pranuar javën e kaluar.

Protestat

Mijëra protestues dolën në rrugë sot që herët në mëngjes, duke bllokuar autostradat dhe duke demonstruar para shtëpive të ministrave, për të kërkuar nga qeveria arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve.

Protestat nisën herët në mëngjes, në orën 06.29, orë kur Hamas nisi sulmin më 7 tetor 2023- dhe vijoi më pas kur demonstruesit bllokuan disa kryqëzime të mëdha në vend, ndaluan trafikun mbanin pankarta që kërkonin kthimin e pengjeve. Në disa raste dogjën dhe goma në autostradë.

Akset kyçe,  përfshirë autostradën Ayalon në Tel Aviv, Rrugën 1 midis Jerusalemit dhe Tel Aviv dhe autostradën bregdetare Rrugën 2, mbetën të bllokuara për disa orë, duke shkaktuar bllokime të mëdha trafiku në pjesë të mëdha të vendit.

Ndërkohë Bashkimi Europian e quajti të papranueshme vrasjen e gazetarëve në Gaza.

 “Vrasja e pesë gazetarëve, katër punonjësve shëndetësorë dhe disa civilëve dje në Gaza është krejtësisht e papranueshme. Civilët dhe gazetarët duhet të mbrohen sipas ligjeve ndërkombëtare. Riafirmojmë kërkesën ndaj Izraelit për të respektuar të drejtën humanitare ndërkombëtare dhe për të garantuar që këto sulme të hetohen, dhe marrim në konsideratë deklaratat e autoriteteve izraelite se do të kryhet një hetim i thelluar” thuhet në deklaratën e BE-së, bërë nga zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni.