Berisha: Ky është parlamenti i partisë shtet, dhe unë nuk do ta hap atë. Nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve

Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka deklaruar sot se nuk do të marrë pjesë në një parlament që, sipas tij, nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve, por është produkt i manipulimeve dhe kontrollit të partisë-shtet.

Berisha theksoi se rezultatet elektorale janë e vetmja mënyrë e drejtë dhe transparente për ndarjen e përgjegjësive, duke përjashtuar çdo formë tjetër pa bazë zgjedhore.

Ai i bëri thirrje ndërkombëtarëve dhe opinionit publik të lexojnë me kujdes raportet që theksojnë nevojën për ndarjen e partisë nga shteti, siç përmendet edhe në rekomandimet e Këshillit të Europës.

Fjala e tij:

E vërteta është që, çdo njeri ka të drejtë që të ketë mendimin e tij. Por koalicioni është bërë mbi bazën e rekordeve elektorale. Unë nuk di ndonjë teknikë tjetër më të drejtë, më të ndershme, se sa rekordin elektoral për të bërë koalicionin. 
Gjithmonë në eksperiencën e gjatë, koalicionet kanë pasur në bazë rekordin elektoral. 
Natyrisht koalicioni i ardhshëm do të ketë në bazë, rezultatin e këtyre zgjedhjeve. Pra, nuk di ndonjë mënyrë tjetër, nëse do të bësh koalicion. Përndryshe mos bëj koalicion, ec vetë...
... Një parlament jo legjitim, nuk mund ta hap kurrë, kurrë. Nuk mund ti bëj vendit tim unë një antishërbim të tillë. Harroje.
Po të ishte legjitim, me kënaqësi do ta bëja, do ta kisha patur kënaqësi, por ky është një parlament jo legjitim. Nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve shqiptarë, sipas të gjitha dokumenteve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Është rekomandim i Këshillit të Europës që thotë; në Shqipëri duhet të ndahet partia nga shteti. Kaq mjafton kjo frazë për të treguar se ky është parlamenti i partisë-shtet. E si mund ta hap unë atë? Si mund të ja lejoj vetes të ulem unë aty? Kurrë...
...Nuk kam biseduar me asnjë njeri, por unë shpreha mendimin tim. Nuk kam biseduar. Pas Tritanit vjen Edi Rama, apo kush vjen?
...Thashë mos ishte Edi...