Kosova zgjedh kryetarin e Kuvendit/ Begaj uron Dimal Bashën: Bashkëpunimi politik, një domosdoshmëri

Presidenti i Republikës së Shqipërisë përcolli urimet Dimal Bashës për zgjedhjen në krye të Kuvendit të Kosovës.


"Bashkëpunimi politik dhe institucional është një domosdoshmëri që uroj dhe shpresoj të vijojë në të mirë të Kosovës e qytetarëve të saj" shkruhet në mesazhin e presidentit postuar në rrjete sociale. 

Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit me 73 vota për, 30 kundër dhe tri abstenime. Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dhe një pjese të pakicave. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lista Serbe votuan kundër. Për emërimin e kryeparlamentarit nevojiten të paktën 61 vota për.