U zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha thirrje për bashkëpunim: Ngërçi, shkollë ...

Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se ndjen përgjegjësinë e madhe që i është besuar.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është e ndërtuar mbi sakrifica.

Basha ka falënderuar gratë e Kosovës për kontributin.

“Sot kjo republikë qëndron e pavarur edhe falë ndihmës së shteteve mike në krye me SHBA-në. Ka disa muaj që ky Kuvend është ballafaquar me një sfidë që nuk e ka parë më herët. Por mos harroni, që me gjithë betejat, besoj që ka qenë shkollë që i ka shërbyer demokracisë dhe emancipimit të shoqërisë”, ka thënë ai.

Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim dhe unifikim.

“Shumica prej nesh dallojmë me parti por qytetarët presin që të jemi të bashkuar në objektivat tona, si zhvillimi ekonomik, forcimi i së drejtës e mbi të gjitha mbrojtja e integritetit territorial”, ka thënë ai.

Basha ka lavdëruar punën e bërë në veri të vendit, duke thënë se është minimizuar krimi në atë pjesë ndërsa i ka bërë thirrje Serbisë që të sillet në mënyrë demokratike.

Pas gati shtatë muajsh nga zgjedhjet parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur kryeparlamentarin e ri. Dimal Basha i Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë 73 vota pro.