Kosovë/ Krasniqi i PDK-së: Nëse VV-ja e konsideron Bashën përfaqësues të denjë, ne e votojmë

Në prag të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryetari i partisë së dytë më të madhe parlamentare, PDK, Memli Krasniqi kërkoi takim konsultativ mes partive parlamentare.

“Kërkesa për konsultë, sikurse atë ditë, edhe sot është për t’iu thënë Lëvizjes Vetëvendosje, se ai jeni i sigurt që dëshironi ta degradoni nivelin e përfaqësimit të Kuvendit të Kosovës duke e vendosur një kandidat, i cili, sipas neve, as nuk i plotëson kriteret e as nuk është i duhuri”, tha Krasniqi për media.

Ai theksoi se nëse Lëvizja Vetëvendosje “vërtet konsideron se Dimal Basha është kandidati më i mirë që ata kanë, ne do ta votojmë, edhe pse nuk besojmë se një gjë e tillë qëndron”.

PDK-ja ishte kritikuar që nuk e kishte votuar Bashën për kryetar të Kuvendit në seancën e kaluar, pasi ishte shprehur se do t'i votonte kandidatët e Vetëvendosjes që nuk ishin ministra në Qeverinë Kurti II.

“Mënyra se si e kanë propozuar në mënyrë tendencioze të befasishme nuk ishte për ta zgjedhur në të vërtetë ishte më shume taktizim. Ne i qëndrojmë besnik qëndrimit tonë që e votojmë një kandidat qe nuk ka qenë pjesë e ekzekutivit por kërkesa jonë si sot si atë ditë ka qenë t’i tregojmë Vetëvendosjes që me një kandidat të tillë e degradon”, ka thënë ai.

“Megjithatë nëse LVV-ja vertetë e konsideron se një kandidat i tillë si Dimal Basha është përfaqësuesi më i mirë i tyre atëherë PDK e voton. Kërkojmë që të bëhen të përgjegjshëm dhe të propozojnë një kandidat më të denjë. Nëse nuk na lejojnë pauzën, do të ishte arbitraritet”.

Seanca,pritet të nisë e do të vazhdojë aty ku u ndërpre dy ditë më parë, në pikën e tretë të tëndit të ditës, që është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Vetëm pas emërimit të kryetarit të ri dhe pesë nënkryetarëve kompletohet konstituimi i Kuvendit dhe hapet rruga për formimin e një qeverie të re.

Kjo do të jetë hera e katërt që deputetët mblidhen për ta konstituuar Kuvendin që nga publikimi i plotë i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 18 gusht, i cili i urdhëron deputetët ta bëjnë Kuvendin e ri brenda një afati 30-ditor.