Arrestohet 37-vjeçari i shpallur në kërkim, i dyshuar për kryerjen e disa vjedhjeve në qytetin e Vlorës
Një 37-vjeçar nga Vlora është arrestuar nga Policia, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i disa rasteve të vjedhjes dhe tentativave për vjedhje në qytet.
Bëhet fjalë për Dritan Bardhin, banues në lagjen “1 Maji”, i cili prej disa javësh ishte në ndjekje nga strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë.
Sipas të dhënave zyrtare, Bardhi dyshohet për një seri vjedhjesh të ndodhura gjatë vitit 2025, në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë dyqane dhe magazina.
Në njërin prej rasteve, ai ka arritur të vjedhë materiale me vlerë rreth 3000 euro, ndërsa në raste të tjera ka tentuar të hyjë me forcë në objekte tregtare për të kryer vjedhje.
Njoftimi i policisë:
Vijon puna e strukturave të Komisariatit të Policisë Vlorë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Kapet dhe ndalohet një 37-vjeçar i shpallur në kërkim, i dyshuar për kryerjen e disa vjedhjeve në qytetin e Vlorës.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, në kuadër të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve kundër pronës, si dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, organizuan dhe finalizuan me sukses punën për lokalizimin dhe ndalimin e shtetasit:
• D. B., 37 vjeç, banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi nga hetimet ka rezultuar se është autor i disa vjedhjeve dhe tentativave të vjedhjes të kryera gjatë vitit 2025, konkretisht:
• më datë 25.02.2025, ka hyrë me forcë në një dyqan në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, ku ka vjedhur disa produkte elektrike;
• po më datë 25.02.2025, ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një dyqan në lagjen “Pavarësia 3”;
• më datë 23.07.2025, ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një magazinë në lagjen “1 Maji”;
• më datë 14.08.2025, ka vjedhur materiale të ndryshme me vlerë rreth 3000 euro, në një tjetër magazinë në lagjen “1 Maji”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.