Trafik armësh nga Kosova në Tiranë, arrestohet anëtari i grupit, i shpëtoi prangosjes 3 muaj më parë
Një nga anëtarët e grupit që merrej me trafikun e armëve nga Kosova në Shqipëri është arrestuar, informoi sot policia e Lezhës.
Ritvan Keqi, banues në zonën e Fushë-Kuqes, në Kurbin i kishte shpëtuar operacionit të arrestimit në 30 maj 2025 ku në pranga ranë 10 bashkëpunëtorët e tij dhe u sekuestruan 14 armë zjarri mes tyre 12 pistoleta.
Armët nga Kosova, transportoheshin me makina të rastit por dyshohet dhe me linja autobusësh për t’u shitur kryesisht në Tiranë.
8 persona u arrestuan më 30 maj, ndërsa 2 të tjerë ishin arrestuar në kuadër të këtij hetimi të mëparshëm (1 prill). Ndërkohë, 2 persona, mes tyre dhe Ritvan Keqi u shpallë në kërkim. Policia bëri të mundur sekuestrimin e 14 armëve zjarri (12 pistoleta, njëra prej tyre me silenciator, dhe 2 automatikë), 2077 fara cannabisi, krehra dhe municion luftarak, 3 automjete dhe 8 celularë.
Ndërkohë operacioni ‘Puzzle’ vijoi sot me arrestimin e Ritvan Keqit, ndërsa vijojnë kërkimet për një tjetër anëtar
"Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga DVP Tiranë, në kuadër të operacionit të koduar “Puzzle”, i zhvilluar rreth 3 muaj më parë, për goditjen e trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova në Shqipëri. Në kuadër të këtij operacioni janë sekuestruar 14 armë zjarri" informoi sot policia.
Armët pasi vinin nga Kosova shiteshin në disa qytete, përfshirë Tiranën, Shkodrën dhe me gjerë me 1500-2500 euro copë. Njëra prej tyre, me silenciator, do të shitej të paktën 3000 euro.
Dyshohet se grupi kriminal i trafikut të armëve kishte një bazë në Burrel.
Të arrestuar si anëtarë të këij grupi
Më 26 gusht
Ritvan Keqi
Më 30 maj 2025
Emirel Tusha,
Leandro Haxhiaj,
Fabricio Berberi,
Rikardo Hajdaraj,
Visar Murati,
Kevin Farruku,
Geraldo Muraj,
Adriano Shehu,
Të arrestuar në prill
Altin Pajaziti
Kadri Prushi
Ende në kërkim
A. N., 24 vjeç.