Lëvizte me automatik në makinë në rrugën e Arbrit, arrestohet 38 vjeçari (EMRI)
Një 38 vjeçar nga Burreli është arrestuar pasi u kap teksa lëvizte në rrugën e Arbrit me automatik në makinë.
Policia publikoi pamje të arrestimit të tij, ndërsa në bagazhin e makinës “BMË” që drejtohej nga i Besmir Bajraktari u gjet automatiku dhe municione luftarake të cilat ishin futur në thes.
Mësohet se Bajraktari ishte dënuar dhe më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Ndaj tij është ngritur akuza “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Njoftimi
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas posedonte armë zjarri në automjetin me të cilin lëvizte, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat i operacionit të koduar “Armed” kanë lokalizuar dhe vënë në pranga shtetasin:
B. B., 38 vjeç, banues në Burrel, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Në rrugën e Arbërit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin “BMW”, me drejtues shtetasin B.B. Gjatë kontrollit në automjet, u gjet një armë zjarri automatik dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.