Refuzoi Italinë për Shqipërinë, atleti David Nikolli denoncon Ministrinë e Sportit: S’po më paguajnë medaljet ballkanike

Vonesat apo problemet në lidhje me shpërblimet për sportistët nuk është një temë risi në realitetin shqiptar dhe rasti më i fundit vjen nga atletika.

Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit nga dy medaljet e arta ballkanike dhe nga rekordi kombëtar, David Nikolli ende nuk është shpërblyer sipas ligjit për rezultatet e arritura.

Për “Panorama Sport”, atleti ka shprehur të gjithë zhgënjimin e tij për këtë situatë, duke akuzuar drejtpërdrejt Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

Nikolli thotë se po sorollatet për shumë kohë dhe se ministria nuk i jep asnjë përgjigje, duke i hedhur kështu poshtë mundin dhe djersën e një punë të gjatë.

David, cili është shqetësimi juaj?

Jam atlet i kombëtares së Shqipërisë në garat e mesme dhe të gjata që nga viti 2017. Shqetësimi është që vitin e kaluar kam fituar dy medalje të arta për Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik, rezultat historik për vendin tonë, pasi arrihej për herë të parë nga një atlet mashkull. Njërën e kam fituar në garën 21 km dhe medaljen tjetër të artë në ballkanikun e krosit.

Afati i shpërblimeve që ka vendosur shteti shqiptar ka një vit e gjysmë që ka kaluar, në një kohë kur pagesa duhet bërë brenda 3 muajve. Jam i shqetësuar dhe në një situatë të tillë nuk e di nëse duhet të garoj më për Shqipërinë?!

Në këto momente po përgatitem për maratonën ballkanike që do të zhvillohet më datë 5 tetor, garë ku jam pretendent për medalje të artë, por jam i zhgënjyer, sepse shikoj që nuk po shpërblehem për rezultatet dhe medaljet që fitoj. Kam realizuar edhe shumë rekorde kombëtare, të cilat njihen nga federate europiane dhe botërore, rezultatet që janë të shkruara në librin e artë të atletikës shqiptare, në buletinin që del çdo vit, rezultate që regjistrohem, por që nuk shpërblehem sipas ligjit.

Keni pasur kontakte me ministrinë për këtë problem dhe çfarë përgjigje keni marrë prej tyre?

Po, kam pasur kontakte me Ministrinë e Sporteve nëpërmjet federatës, pasi kemi bërë kërkesën për shpërblimet e rezultateve ballkanike, por nuk kemi marrë ndonjë përgjigje konkrete, vetëm na thonë gjithmonë që duhet të presim. Nuk e di pse bëhet kjo lloj vonese për këto rezultate, për të cilat në janar jam vlerësuar edhe nga kryeministri gjatë ceremonisë gala që zhvilloi Komiteti Olimpik në Tiranë. Ndërsa strukturat në ministri që e kanë në dorë të zbatojnë ligjin për shpërblimet nuk e bëjnë punën siç duhet dhe më sorollasin.

Nga ana tjetër vendi jonë po në të njëjtën kohë vendi jonë ka afruar sportistë të huaj, që nuk flasin asnjë fjalë shqip, por i kanë marrë të gjithë shpërblimet që u takojnë. Unë nuk kam asgjë kundër këtyre sportistëve, por dua që ligji të zbatohet edhe për sportistët shqiptarë dhe në rastin konkret për mua. Unë jam një produkt shqiptar, i lindur në Shqipëri, sjell medalje për Shqipërinë që nga mosha 17-vjeçare dhe nuk më jepet ajo që më takon. Gjithashtu jam i shqetësuar, pasi në shtator do të jepen bursat olimpike dhe frika ime është që nuk do të kem mbështetje për të përfituar bursë olimpike edhe pse jam atlet i shumë medaljeve dhe rekordeve për Shqipërinë.

Gjithashtu dua të përmend që shkoj me shpenzimet e mia për të garuar për vendin tonë. Më vjen shumë keq, pasi kam që prej vitit 2017 dhe deri më sot që nuk më rimbursohen biletat që shpenzoj për të marrë pjesë në gara.

Sa është shuma financiare që ju detyrohen për rezultatet që ju keni arritur?

Vetëm në vitin 2024 për 2 medalje të arta ballkanike, për rekordin kombëtar dhe biletat e avionit janë gjithsej 31 mijë e 550 euro.

Keni ndonjë apel apo mesazh për këtë situatë?

Më vjen keq sepse ndihem si i ndaluar nga vendi im. Një atlet duhet të jetë i shtyrë dhe i mbështetur për të përmirësuar rezultatet e tij, por në rastin tim ndodh krejt e kundërta, pasi nuk shpërblehem as për rezultatet që kam arritur. Unë jam sportist profesionist dhe në këto kushte është njësoj si të punosh dhe mos të paguhesh. Shqipëria ka bërë vitet e fundit disa ligje shumë të mira për njerëzit që i kanë dorë nuk po i zbatojnë dhe rasti im e tregon qartë këtë gjë. Apeli im është që të jem më i mbështetur nga vendi ynë dhe të më jepet ajo që unë kam arritur, asgjë më shumë.

Ndërkohë ju prej disa vitesh jetoni dhe stërviteni në Itali, keni pasur oferta për të garuar për shtetin italian?

Në gusht të vitit 2020 kam refuzuar kombëtaren e Italisë, pasi kam dashur që të garoj dhe të përfaqësoj vendin tim. Por me gjithë këto zhgënjime që po përjetoj dhe me këtë mungesë mbështetjeje nga vendi jonë, nga strukturat e sportit, tani më duhet të marrë një vendim, ta lë fare dhe mos të garoj më. Ministrisë së Sportit i kam dërguar një ‘e-mail’ edhe para 2 javëve, por nuk kam marrë asnjë përgjigje prej tyre.