Shkuan të ekzekutonin një urdhër-arresti në verilindje të Melburnit, dy oficerë policie qëllohen për vdekje, autori vijon i lirë dhe i armatosur
Dy oficerë policie janë vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në një pronë rurale në Porepunkah në verilindje të Victorias. Shërbimet e emergjencës kanë rrethuar vendin e incidentit në qytetin rajonal, 300 kilometra në verilindje të Melburnit, ndërsa dyshohet se autori i sulmit është ende i lirë.
"Ky është ende një incident aktiv dhe ne do të japim më shumë informacion kur të jetë e sigurt nga ana operative për ta bërë këtë," tha policia në një deklaratë në X (ish Twitter).
Burimet i kanë thënë mediave vendase se oficerët po ekzekutonin një urdhër arresti kur ndodhën të shtënat. Kryeministri Anthony Albanese dhe kryeministrja e Viktorias Jacinta Allan kanë shprehur shqetësim lidhur me ngjarjes.
Njerëzve po u kërkohet të shmangin vendin e ngjarjes, i cili është përshkruar si një incident aktiv dhe i vazhdueshëm që mund të paraqesë një rrezik të konsiderueshëm për anëtarët e publikut.
Që nga ora 14:30, dhjetëra oficerë policie, disa ambulanca dhe një automjet i blinduar ishin në vendngjarje. Një helikopter policie u pa gjithashtu duke qarkulluar në zonë. Këshilli i Alpine Shire ka mbyllur të gjitha objektet e tij, duke përfshirë bibliotekat dhe qendrat e informacionit.