Thatësira rekord në Evropë dhe Mesdhe: Mbi gjysma e tokës e përfshirë nga kriza

Thatësira ka arritur përmasa alarmante në fillim të gushtit në Evropë dhe Mesdhe, duke prekur 51.3 përqind të tokës sipas analizës më të fundit nga Observatori Evropian i Thatësirës, raporton AFP. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë për periudhën 1–10 gusht, që prej fillimit të vëzhgimeve në vitin 2012.

Që nga mesi i prillit, një sipërfaqe e madhe e kontinentit ka qenë nën ndikimin e thatësirës, e cila tashmë konsiderohet më e rëndë sesa ajo e verës së vitit 2022. Treguesit e përpiluar nga Observatori Evropian i Kopernikut, bazuar në vëzhgimet satelitore mbi reshjet, lagështinë e tokës dhe gjendjen e bimësisë, e ndajnë krizën në tre nivele: mbikëqyrje, paralajmërim dhe alarm.

Në fillim të gushtit, 7.8 përqind e Evropës dhe Mesdheut ishin në nivelin më serioz të alarmit, 38.7 përqind në paralajmërim dhe 4.9 përqind në gjendje mbikëqyrjeje. Rajonet më të goditura janë Kaukazi dhe Ballkani Verior, ku Gjeorgjia dhe Armenia po përballen me thatësirë në 97 përqind të territorit.

Në të njëjtën situatë gjendet edhe Kosova dhe Bullgaria, ndërsa Serbia, Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Hungaria dhe Mali i Zi raportojnë se mbi tre të katërtat e sipërfaqes së tyre janë nën paralajmërim ose alarm.

Valët e të nxehtit që përfshinë Evropën në korrik dhe gusht nxitën edhe dhjetëra zjarre pyjore, disa prej të cilëve rezultuan fatale, me një viktimë në Mal të Zi dhe një në Shqipëri.

Ndërkohë, Spanja, Portugalia dhe Italia, të cilat në fillim të muajit u përballën me zjarre shkatërruese, aktualisht raportojnë vetëm zona të kufizuara të prekura nga thatësira.