Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në kryeqytetin e Jemenit rritet në 10

Sulmet izraelite kanë goditur një strukturë në pronësi të kompanisë kryesore të naftës në Jemen, një termocentral dhe një bazë ushtarake pranë pallatit presidencial në Sana’a, duke shkaktuar të paktën 10 viktima dhe mbi 100 të plagosur, njoftuan të hënën autoritetet shëndetësore të kontrolluara nga rebelët Huthi.

Të dielën, kryeqyteti jemenas u trondit nga shpërthime të shumta, disa ditë pasi Huthitë e mbështetur nga Irani lëshuan një raketë drejt Izraelit, të cilën ushtria izraelite e përshkroi si bombë thërmi, e para e këtij lloji që nga viti 2023. Pamjet nga vendngjarja tregonin një top zjarri dhe re të dendura tymi mbi qytet, ndërsa njerëzit kalonin pranë rrënojave të automjeteve të shkatërruara.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë të Huthive, Anees al-Asbahi, tha se 102 persona u plagosën nga bombardimet, përfshirë shtatë fëmijë dhe tre gra, ndërsa 21 të tjerë janë në gjendje kritike.

Sulmet erdhën si kundërpërgjigje ndaj raketës së lëshuar nga rebelët javën e kaluar në drejtim të aeroportit Ben Gurion në Tel Aviv, e cila u shkatërrua në ajër pa shkaktuar dëme. Gjatë muajve të fundit, Huthitë kanë intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë drejt Izraelit dhe anijeve në Detin e Kuq, në mbështetje të palestinezëve në Gaza.

Izraeli, në bashkëpunim me një koalicion të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka vijuar bombardimet ndaj zonave të kontrolluara nga rebelët, duke synuar Sanaan dhe portin strategjik të Hodeidës. Aeroporti i Sanaas u nxor jashtë funksionit nga sulmet izraelite në muajin maj.

Në të njëjtin muaj, administrata e presidentit amerikan Donald Trump njoftoi një marrëveshje me Huthitë për ndalimin e sulmeve ajrore në këmbim të ndërprerjes së sulmeve ndaj anijeve, por rebelët deklaruan se marrëveshja nuk përfshin objektivat që ata i konsiderojnë të lidhura me Izraelin.