Sa e rëndë duhet të jetë një çantë shkolle dhe pse nuk rekomandohen çantat me rrota?
Instituti i Shëndetit Publik të Beogradit ka publikuar udhëzime mbi mbajtjen e duhur të çantës së shkollës, duke theksuar se pesha e saj optimale duhet të jetë nga 5 deri në 10 për qind të peshës së fëmijës, ndërsa kufiri maksimal nuk duhet të kalojë 15 për qind.
Sipas njoftimit, çdo peshë mbi këtë normë është e dëmshme për sistemin kockor dhe muskulor.
Nga të dhënat e publikuara, fëmijët që nisin klasën e parë të shkollës fillore kanë zakonisht një peshë prej 22 deri në 25 kilogramë, prandaj çanta e tyre nuk duhet të jetë më e rëndë se 2 deri në 2.5 kilogramë.
Ekspertët theksojnë se çanta duhet të jetë e përshtatur me gjatësinë e fëmijës, të mos ngrihet mbi nivelin e shpatullave dhe të ketë rripa të gjerë. Gjithashtu, rekomandohet që rripat të rregullohen në mënyrë që çanta të qëndrojë lart në shpinë dhe afër shtyllës kurrizore.
Instituti nuk rekomandon përdorimin e çantave me rrota dhe me dorezë të zgjatur, pasi ato shkaktojnë ngarkesë të njëanshme në trup, duke sjellë pasoja si shtrembërim i shtyllës kurrizore dhe dhimbje në shpatulla.
Nga kontrollet sistematike të vitit 2023, është konstatuar se 10.7 për qind e fëmijëve të moshës shkollore vuajnë nga qëndrimi i keq trupor, ku më i përhapuri është deformimi i tipit kifoza (shtrembërim i shtyllës kurrizore nga prapa), i cili prek rreth 6 për qind të fëmijëve. Po ashtu, 22.4 për qind e tyre rezultojnë me deformime të këmbëve.