Një 15-vjeçar po mahnit tek Arsenali, krahasohet me Odegaard, Yamal e madje edhe me Messin
Arsenali ka nxjerrë nga akademia e tij një tjetër diamant të rrallë. Quhet Max Robert Dowman, lindur më 31 dhjetor 2009. Edhe pse vetëm 15 vjeç, po bën që tifozët dhe ekspertët të flasin për të si për një gjeni të ardhshëm. Fundjavën e kaluar, në fitoren 5-0 kundër Leeds në Premier League, ai debutoi me ekipin e parë duke fituar penalltinë e shndërruar në gol nga Gyökeres. Me 15 vjet e 235 ditë, Dowman u bë lojtari i dytë më i ri në historinë e Premier League, pas shokut të tij të akademisë, Ethan Nwaneri.
This angle from the penalty Max Dowman won this weekend …
— Rising Stars XI (@RisingStarXI) August 24, 2025
A 15 year-old boy with a crucial impact in a Premier League Goal.
𝐅𝐔𝐂**** 𝐈𝐍𝐒𝐀𝐍𝐄 🏴✨
pic.twitter.com/g0XYUgY1u0
I rritur në Hale End, me një kalim të shkurtër te Billericay Town, Dowman u dallua shumë herët për maturinë e tij në fushë. Në moshën 13-vjeçare luante për ekipin U-18, ndërsa kur ishte 14 vjeç u bë më i riu që shënonte në UEFA Youth League dhe në të njëjtin vit debutoi në Premier League 2. Kjo verë ishte pikë kthese: fillimisht debutoi në miqësoren kundër Milanit dhe tani, në Premier League, nisi të shkruajë historinë.
Dowman është gjithashtu pjesë e rregullt e përfaqësueses angleze U-17, ku ka shënuar 11 gola në 16 ndeshje, duke lënë gjurmë edhe në Europianin e fundit me një gol ndaj Çekisë. Ai njihet për aftësitë e tij në sulm: mund të luajë si mesfushor ofensiv ose si sulmues krahu, zakonisht nga e djathta, ku pëlqen të hyjë brenda me të majtën.
Teknikë, driblim, vizion dhe inteligjencë taktike, tipare që e bëjnë të krahasohet me Odegaard-in e hershëm, ndërsa trajneri i akademisë, Gustavo Oliveira, e ka cilësuar madje si një “Kaká i ri”.
Nuk mungojnë krahasimet e guximshme: Declan Rice e quajti “lojtari më i mirë 15-vjeçar i Anglisë”, komentatori Simon Jordan e vendosi në një plan me Lamine Yamal të Barcelonës, ndërsa disa analistë shkuan deri tek emri i Messit, të impresionuar nga qetësia dhe pjekuria e tij në fushë.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se talenti i tij duhet menaxhuar me kujdes për të mos djegur etapat, siç ka ndodhur me disa të rinj të tjerë. Arsenali, që ka promovuar figura si Saka, Nwaneri apo Lewis-Skelly, sheh te Dowman ‘yllin’ e radhës të akademisë së Hale End.
Sot, Max Dowman shihet si një nga premtimet më të mëdha të futbollit evropian. Në moshën 15-vjeçare, ai ka nisur të shkruajë historinë e tij te Arsenali dhe Premier League, ndërsa e ardhmja duket se i rezervon një vend mes të mëdhenjve të futbollit botëror.