SYRI TV/ Malësia e Madhe pa ujë të pijshëm 24 orë, uji vjen një orë në ditë dhe i turbullt

Banorët e Malësisë së Madhe po përballen me mungesë të theksuar të ujit, ndërsa thonë se edhe ato pak minuta që uji shkon në cezmat e tyre, është i turbullt dhe i papërdorshëm. Qytetarët e kësaj zone shprehen se premtimet kanë qenë të vazhdueshme gjatë fushatave, por realiteti është krejt tjetër. Ata thonë se ujin për konsum e blejnë në dyqan, ndërsa për nevoja të tjera shtëpiake po detyrohen të hapin puse.

Problemet me ujin e pijshëm vijojnë të mos kenë zgjidhje në Bashkinë e Malësisë së Madhe. Edhe pse një nga premtimet kryesore të qeverisë në kohë fushate ka qenë furnizimi me ujë 24 orë, situata në këtë zonë vijon të jetë e pandryshuar. Ata theksojnë se prej disa muajsh uji në cezmat e tyre vjen vetëm një orë në ditë dhe është i pakonsumueshëm.

Edhe pse shprehen se janë taksapagues të rregullt, kjo situatë i ka detyruar banorët e Malësisë së Madhe të blejnë ujin e pijshëm. Sa i përket vaditjes së tokave, ata shtojnë se për këtë arsye kanë hapur puse si zgjidhje alternative.

Sa herë që ka zgjedhje, uji i pijshëm në Malësinë e Madhe është kryefjala e premtimeve, por sapo fushata mbaron, bashkë me to arkivohen edhe premtimet për t’u rihapur sërishë në zgjedhjet pasardhëse.