Barcelona në presion, ende probleme me Fair Play-in financiar, largimet pritet të zgjidhin ngërçin

Barcelona vazhdon të hasë vështirësi me Fair Play-in financiar, çka e pengon regjistrimin e të gjithë lojtarëve të përzgjedhur nga trajneri Hansi Flick për sezonin e ri. Klubi katalanas është i bindur se tri largime të afërta do të hapin hapësirën e nevojshme për të përfunduar procesin në LaLiga.

Më i qarti në destinacion është portieri Iñaki Peña, i cili, pasi rinovoi kontratën deri në vitin 2029, pritet të huazohet tek Elche i Eder Sarabias. Negociatat për të nisën muaj më parë, por pas afrimit të Joan García-s, rinovimit të Szczesny-t dhe rikuperimit afatgjatë të Ter Stegen, vendimi i klubit ishte i pashmangshëm. Peña kishte oferta si nga LaLiga ashtu edhe nga jashtë Spanjës, por gjithçka tregon se do të zbarkojë në Elche.

Ndërkohë, situata mbetet e paqartë për Oriol Romeu dhe Héctor Fort. Romeu, që ka edhe një vit kontratë, është në procesin e prishjes së marrëveshjes me Barçën, por ende nuk ka vendosur për ekipin e ri, ndonëse ofertat nuk mungojnë. Nga ana tjetër, mbrojtësi 19-vjeçar Héctor Fort vijon të shqyrtojë mundësitë e tij, vetëm një javë para mbylljes së merkatos.

Barcelona shpreson t’i mbyllë këto çështje në ditët e ardhshme, për të zhbllokuar një situatë që po i krijon pengesa serioze për regjistrimin e plotë të skuadrës në LaLiga.