Berisha: Të gjitha agjencitë shtetërore janë transformuar në institucione elektorale dhe punonjësit e tyre në operatorë elektoralë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zbuluar se PD disponon të dhëna të detajuara mbi shkeljet dhe manipulimet në zgjedhjet e fundit, jo vetëm në qarkun e Fierit, por edhe në qarqe të tjera të vendit.

Sipas tij, rasti i Rajonit Nr. 2 në Fier është ilustrues për modelin e përdorur në gjithë vendin, ku strukturat shtetërore janë transformuar në mekanizma elektoralë në shërbim të pushtetit.

Berisha theksoi se Partia Demokratike është në fazat përfundimtare të hartimit të “Librit të Zi” të këtyre zgjedhjeve, një dokument voluminoz me mijëra fakte dhe prova që do t’i dorëzohet kancelarive dhe institucioneve ndërkombëtare të BE-së dhe NATO-s.

Pjesë nga deklarata:

Faleminderit për pyetjen. 
Së pari, këto janë vetëm par qarkun e Fierit, por ne disponojmë edhe për qarqe tjera. Natyrisht, analiza është jashtëzakonisht teknike, sepse kërkon shumë verifikime. Por ne, zgjodhëm, pikërisht, rajonin numër 2 të qarkut të Fierit, ku modelet janë të njëjta kudo, për të paraqitur para jush se si të gjitha agjencitë janë transformuar në institucione elektorale dhe punonjësit e tyre në operatorë elektoralë.
Padyshim që, ne i kemi paraqitur online, jemi në lidhje të vazhdueshme me të gjitha institucionet ndërkombëtare që merren me zgjedhjet. Ne përfundojmë këto ditë Librin e Zi të këtyre zgjedhjeve, të kësaj farse, të cilën ne do e depozitojmë në të gjitha kancelaritë dhe institucionet ndërkombëtare të BE-së dhe NATO-s.
Është dashur një punë shumë, shumë voluminoze. Janë me mijëra e mijëra fakte, dhe ne jemi përpjekur të paraqesim përfaqësuesit këtu, se unë mund të rrija 1-2 muaj duke paraqitur qendra votimi, ku votojnë komisionerët dhe nuk votojnë qytetarët, ku votohet me dy fletë, e me radhë të gjitha këto. Por ne, kemi zgjedhur më përfaqësuese në mënyrë që, të argumentojmë këtë farsë të shëmtuar elektorale.