Këto tatuazhe të shenjta u ndaluan në Okinava. Një brez i ri po i rikthen ato

Haley Harrison - National Geographic

Në një dhomë të vogël me tatami, pranë qendrës së qytetit Naha, kryeqyteti i prefekturës së Okinavës, po ndodh një rilindje e qetë e një tradite tatuazhesh që dikur ishte e ndaluar. Moeko Heshiki, një nga të paktat artiste të mbetura të haxhiçive, vendos me kujdes mjetet e saj tradicionale për tatuazhe me gjilpërë. Sytë më shkojnë te shigjetat e gjata e të errëta që shtrihen përgjatë gishtave të saj, një art i shenjtë që pothuajse ishte zhdukur.

I tregoj se gruaja e fundit e familjes sime që kishte tatuazhe hajichi ishte katragjyshja ime, dhe ndiej një përzierje krenarie dhe humbjeje.

"Njerëzit ndonjëherë më thonë: 'Oh, hape një kuti,'" thotë ajo, duke iu referuar zakoneve kulturore që okinavianët u detyruan t'i fshihnin. Së shpejti, tatuazhet që dikur zbukuronin duart e grave të Okinavës për breza me radhë, do të zbukurojnë edhe duart e mia.

Kolonizimi i Riukiusë

Para se bazat ushtarake amerikane të mbulonin brigjet e saj, ishujt që sot quhen Okinava ishin mbretëria e pavarur e Riukiusë. Në vitin 1879, qeveria japoneze e epokës Meixhi aneksoi ishujt, shkatërroi mbretërinë dhe e shndërroi Okinavën në pjesë të perandorisë së saj.

Pushteti i Riukiusë u shkatërrua në çdo aspekt: tokat e përbashkëta u morën, gjuhët vendase u ndaluan, dhe sistemet politike e shoqërore ku gratë kishin role drejtuese u rrëzuan.

Studiueset Adriane Tengan-Stoia dhe Leks MekKlellan-Ufugusuku nga Universiteti i Kalifornisë shpjegojnë se gratë ishin udhëheqëset shpirtërore të shoqërisë riukiane dhe besohej se kishin lidhje hyjnore me botën shpirtërore. "Para kolonizimit, priftëresha e lartë ishte figura më e rëndësishme fetare," thotë Tengan-Stoia. MekKlellan-Ufugusuku shton se qeveria e Meixhit donte të vendoste patriarkatin dhe filloi të persekutonte gratë dhe zakonet e tyre.

Si rrjedhojë, haxhiçit, tatuazhe me gjilpërë që zbukuronin duart, kyçet dhe gishtat e grave, u ndaluan.

Simbol i bukurisë dhe shpirtit

Në kohët e Riukiusë, vajzat fillonin tatuazhet që në moshën 6-vjeçare me dy rrathë të vegjël mes nyjave të gishtave. Me kalimin e viteve, kur martoheshin ose mësonin teknika të vështira, tatuazhet shtoheshin.

Edhe pse të dhimbshme dhe ndonjëherë të detyruara, tatuazhet ishin kryesisht simbol bukurie dhe mbrojtjeje. "Ky simbol pesëkëndor konsiderohej si pasaportë për jetën e përtejme," thotë MekKlellan-Ufugusuku, "është një mbrojtje që të lidh me të parët."

Në fillim të shekullit XX, ndalimi ishte i plotë dhe për herë të parë pas shekujsh, vajzat nuk i bënin më këto tatuazhe. Situata u përkeqësua pas Luftës së Dytë Botërore, kur në betejën e Okinavës u vranë një e treta e popullsisë. Megjithatë, zakoni nuk u zhduk krejtësisht, disa vajza bënin tatuazhe fshehurazi për ta ruajtur traditën.

Rilindja e haxhiçit

Pas një gjumi prej më shumë se 100 vitesh, vitet 2020 sollën ringjalljen e kësaj tradite. Në rrjete sociale, shumë njerëz krenarë tregojnë tatuazhet e tyre dhe lidhen me komunitetin okinavian në diasporë.

Gratë e reja organizojnë takime, si ai që Mariko Midëllton e përshkruan si "mbledhja më e madhe e njerëzve me haxhiçi në më shumë se një shekull".

Por rrjetet sociale janë vetëm një pjesë e historisë. Të moshuarit luajnë një rol kyç përmes tregimeve dhe kujtimeve. "Ata janë histori e gjallë. Duhet të vlerësojmë tregimet e tyre," thotë Hiromi Toma, një artiste haxhiçish që dikur i bëri tatuazh një gruaje 80-vjeçare.

Edhe pse kufizimet e epokës Meixhi nuk ekzistojnë më, ndikimi i tyre ndihet ende.

Pas tatuazhit tim, lëkura rreth tatuazheve të freskëta ishte ende e kuqe dhe kruhej pak, kështu që Moeko Heshiki dhe unë shëtitëm deri në kafenë e saj të preferuar. Ajo më tregon për realitetin e të pasurit tatuazhe haxhiçi në ishuj dhe në Japoni, ku ato janë ende të ndaluara për shkak të lidhjes me bandat e Jakuzës.

“Të bëhesh mësues apo punonjës publik është pothuajse e pamundur me tatuazhe të dukshme,” thotë Heshiki. Për këtë arsye, shumë klientë të saj i bëjnë tatuazhet në pjesë të trupit që mund t’i mbulojnë, një mënyrë që tregon pasojat e gjata të kolonizimit.

Pavarësisht paragjykimeve, vazhdimësia e haxhiçive pas një ndalese më shumë se 100-vjeçare është shenjë shprese. Ashtu si populli i Okinavës, edhe tatuazhet kanë gjetur mënyra për t’u përshtatur dhe për të mbijetuar. Kushtet e ardhshme mund të kërkojnë më shumë ndryshime, por shpirti i haxhiçive dhe ajo që transmetohet përmes këtyre shenjave ndër breza ka qëndruar i fortë.

Mendoj për katragjyshen time, që jetoi deri në 110 vjeç. A ka menduar se do të ishte e fundit e brezit tonë me haxhiçi? Apo e dinte se një ditë ato do të ktheheshin?/ National Geographic - Syri.net