Në homazhet për Artur Zhejin, u ndjenë lotët e miqve… dhe mungesa e Kryeministrit Rama

Në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura u mbajtën sot homazhet për gazetarin, shkrimtarin dhe analistin e njohur Artur Zheji, i cili u nda nga jeta më 23 gusht pas një problemi të papritur kardiak.

Familjarë, miq të afërt, kolegë nga media, aktorë dhe figura të njohura të politikës morën pjesë për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prej zërave më të spikatur të debatit publik shqiptar.

Ceremonia nisi në orët e paradites dhe vazhdoi deri në mesditë, ndërsa shumë qytetarë të zakonshëm iu bashkuan radhëve të atyre që nderuan figurën e Zhejit, i cili më 29 gusht do të festonte 64-vjetorin e lindjes.

Në mesin e pjesëmarrësve u panë figura të njohura të politikës shqiptare .

Megjithatë, mungesa e Kryeministrit Edi Rama në homazhe u vu re gjerësisht. Kreu i qeverisë nuk ishte i pranishëm fizikisht në ceremoni dhe nuk ka dhënë ndonjë shpjegim për mungesën e tij.

LEXO EDHE: I gjalli në pushtet edhe homazhi i tij për ish mikun e vjetër!

Ai reagoi vetëm përmes një mesazhi të shkurtër në Facebook, ku shkruante: “Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin.”

Rikujtojmë se gazetari ishte duke drekuar në një restorant në rrugën ‘Butrinti’, bashkë me bashkëshorten dhe djalin, kur papritur ka pësuar një arrest kardiak. Sipas njoftimit të Policisë, familjarët kishin telefonuar urgjencën për ndihmë, por pavarësisht ndërhyrjes, ai nuk ka mundur të mbijetojë. 

Artur Zheji i lindur më 29 gusht 1961 ishte gazetar, publicist dhe analist shqiptar. I biri i euriditit të njohur shqiptar Petro Zhejit dhe aktores së njohur shqiptare Besa Imamit, Zheji la pas një boshllëk të madh në gazetarinë shqiptare.