Lamtumira e fundit/ Homazhe për nder të Artur Zhejit në Universitetin e Arteve

Gazetari dhe publicisti Artur Zheji u nda nga jeta në mënyrë të papritur pasditen e së shtunës, pas një arresti kardiak, ndërkohë që ndodhej për pushime me familjen e tij në Sarandë.

Homazhet për Zhejin po mbahen ditën e sotme në ambientet e Universitetit të Arteve në Tiranë, ku miq, kolegë dhe qytetarë të shumtë po i japin lamtumirën e fundit.

 Ceremonia private do të mbahet më pas te “Alba 2000”. Artur Zheji do të prehet në Tufinë, pranë të atit, gjuhëtarit të madh Petro Zheji.

Në ceremoninë e homazheve ishte i pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i cili u shpreh se ndarja nga jeta e Artur Zhejit është një humbje e madhe për mendimin kritik dhe mediat shqiptare.

Lajmi për humbjen e parakohshme të intelektualit të jashtëzakonshëm, gazetarit dhe analistit Artur Zheji, ishte vërtet pikëllues.

Sot, në emër të Partisë së Lirisë, të Presidentit Meta dhe në emrin tonë personal, u shprehëm ngushëllimet më të sinqerta familjes Zheji, të gjithë komunitetit të gazetarëve e shoqërisë shqiptare për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme.

Z. Zheji ishte një nga mendjet e ndritura të kombit, patriot dhe intelektual i angazhuar që luftoi aq shumë jo vetëm në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së medias, por edhe të parimeve të shtetit të së drejtës, sepse dua t’ju kujtoj kontributin e tij madhor, si bashkëkryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Z. Zheji do të kujtohet gjithmonë me nderim dhe me respekt dhe sot pa dyshim që shoqëria jonë është më e mpakur me humbjen e këtij përfaqësuesit të spikatur të medias dhe mendimit kritik, të këtij gazetari, kontributi dhe vepra e të cilit gjithmonë do të nderohet- tha ndër të tjera Blushi.

Artur Zheji ishte një figurë e njohur në media, publicistikë dhe diplomaci, me një kontribut të gjatë në jetën publike të vendit.