‘Gjermania nuk është më një shtet social’/ Çfarë pritet të ndodhë tani e tutje

BILD

Gjermania nuk mund ta përballojë më shtetin e saj social.

Kostot për pensionet dhe kujdesin shëndetësor po rriten me ritme të larta, sistemi shëndetësor ndodhet në prag të kolapsit dhe shpenzimet për ndihmën sociale (Bürgergeld) kanë dalë jashtë kontrollit.

Kancelari Friedrich Merz jep alarmin: “Shteti social, ashtu siç e kemi sot, nuk është më i përballueshëm me atë që ne realizojmë ekonomikisht”.

Por Merz nuk thotë se si do ta përballojë këtë sfidë – veçanërisht në bashkëpunim me partnerin e koalicionit, SPD.

Ekspertë të njohur i thonë gazetës BILD se çfarë duhet të bëjë tani qeveria federale.

Kujdesi për të moshuarit 

Shoqëria po plaket. Profesori Bernd Raffelhüschen propozon në BILD: "Duhet të futen periudha pritjeje për mbulimin e kujdesit. Pra, një person do të duhet të paguajë vetë për gjysmë viti apo një vit".

Pjesëmarrja vetjake në kostot e shëndetësisë 

Eksperti i shëndetësisë Raffelhüschen kërkon: "Një shumë fikse që paguhet vetë. Për shembull, 500 apo 800 euro në vit. Më pas, duhet një normë pjesëmarrjeje, ku për shpenzimet pasuese prej 500 ose 1000 euro, rimbursohesh 50 për qind".

Shoqata Federale e Punëdhënësve Gjermanë mbështet rikthimin e tarifës për vizitat mjekësore (Praxisgebühr).

Pensionet 

Vetëm për këtë vit, qeveria federale po mbulon një deficit prej 121 miliardë euro në sistemin e pensioneve shtetërore. 

Sipas anëtares së Këshillit të Ekspertëve Ekonomikë, prof. Veronika Grimm (53), reformat e nevojshme tashmë janë të qarta: 

- Lidhja e moshës së pensionit me jetëgjatësinë mesatare 

- Heqja e pensionit në moshën 63 vjeç

- Eliminimi i kufirit fiks prej 48% për nivelin e pensionit 

- Moszgjerimi ose pezullimi i pensioneve shtesë për nënat (Mütterrente).

Ndihma sociale

Në vitin 2025, skema e ndihmës sociale (Bürgergeld) i kushtoi shtetit 42,6 miliardë euro. 

Eksperti Bernd Raffelhüschen i tha gazetës BILD: “Në Gjermani, nxitjet janë më shumë drejt ndihmës sociale sesa drejt punës.” 

Sipas tij, kostot e migracionit janë jashtë kontrollit dhe nuk kanë fund. Pa një politikë të qartë, migracioni përfundon në sistemin social dhe jo në tregun e punës. Ai propozon: 

- Masa më të ashpra për personat që janë të aftë për punë, por nuk punojnë 

- Shndërrimin e Bürgergeld-it në ndihma materiale, jo para në dorë. 

Sipas prof. Veronika Grimm, më shumë persona – përfshirë ata nga Ukraina – duhet të integrohen në punësim.

Nëse kjo nuk ndodh: “Duhet të ketë më shumë sanksione ose detyrime për angazhim në shërbime sociale”.

Për shefin e ekonomisë në Institutin për Ekonominë Botërore, prof. Stefan Kooths, sistemi aktual nuk ka lidhje me idenë ekonomike të sistemit të Bürgergeld. Ai i tha BILD: "Kompensimi social në të ardhmen duhet të bëhet në një vend të vetëm, në zyrën e taksave, dhe jo të jetë i shpërndarë nga institucione të ndryshme. Vetëm kështu mund të shmanget që në bashkëpunimin e shërbimeve dhe taksave të papërputhura, stimujt për punë në nivelet më të ulëta të të ardhurave të shkatërrohen, siç ndodh tani".

Tani përgjegjësia është te Merz. Por Grimm paralajmëron: "Paratë nga borxhet shtesë që po marrim nuk po investohen, por po përdoren për sistemet sociale. Tani po shmangen reformat e rëndësishme, sepse SPD nuk do të pranojë t’i mbështesë".