Pjesë e grupit kriminal të tregtimit të kokainës Shqipëri- Itali, arrestohet në Malin e Tomorrit Dorian Beu! Video
Një 46-vjeçar, i cili akuzohet se ishte pjesë e një grupi të strukturuar kriminal Shqipëri - Itali, është arrestuar sot në Malin e Tomorrit.
Dorian Beu ishte pjesë e grupit kriminal të përbërë prej 18 personash që ka vepruar në Itali dhe në Shqipëri, që ka pasur si qëllim tregtimin e lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë dhe marijuanë, nga viti 2015 e në vijim.
Në dhjetor 2023, GJKKO caktoi masën e sigurisë 'arrest me burg' për anëtarët e kësaj bande të drejtuar nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço, pjesë e të cilit ishte edhe Dorian Beu.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal” informoi sot policia.
Nga veprimet hetimore ishte bërë e mundur të provohet tregtimi i një sasie prej më shumë se 120 kilogram kokainë, 15 kilogramë heroinë shumë e pastër, si dhe 129 kilogramë marijuanë e 92 kilogramë hashash, të sekuestruara në Itali në disa episode të ndryshme.
Në 2023, me vendimin e GJKKO, iu vunë në sekuestro 1 mln euro pasuri në Durrës, të përfituara nga paratë e ardhura nga krimi, në emër të Braniol Liço, Gernard Beu dhe Emirjan Beu.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, për kapjen e shtetasve në kërkim.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 60”.
Lokalizohet në Malin e Tomorrit, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, me masë sigurie “Arrest në burg”, caktuar nga GJKKO-ja.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me DVP Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 60”.
Bazuar në informacionet e siguruara se në Malin e Tomorrit po qarkullonte me automjet, një shtetas i kërkuar për vepra penale në fushën e narkotikëve, të kryera në formën e organizatës kriminale, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale lokalizuan, kapën dhe ndaluan shtetasin D. B., 46 vjeç, lindur dhe banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave kriminale nga grupi i strukturuar kriminal”.
Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës u bë ekzekutimi i masës së sigurisë “Arrest në burg”, dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për hetime të mëtejshme.