Cristian Shpendi merr ftesën e parë nga Sylvinho për ndeshjet e shtatorit

Një moment i veçantë po vjen për sulmuesin e ri shqiptar Cristian Shpendi. Pas mbylljes së ciklit me Shpresat një vit më parë, ku numëroi 8 paraqitje dhe 1 gol, 21-vjeçari ka marrë ftesën e parë nga Kombëtarja A e Shqipërisë. Ai është përfshirë nga trajneri Sylvinho në listën e kuqezinjve për dy ndeshjet e shtatorit: miqësorja kundër Gjibraltarit më 4 shtator dhe sfida ndaj Letonisë më 9 shtator, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit.

Sulmuesi i Cesena-s, i lindur në vitin 2003, pritet të ketë mundësinë e debutimit me fanellën e Shqipërisë, duke hedhur një hap të madh në karrierën e tij pas më shumë se 100 ndeshjeve të zhvilluara me klubin italian. Shpendi ka shënuar 37 gola me “Cavalluccion”, i fundit në stadiumin “Adriatico” të Pescara-s, në takimin e tij të 103-të.

Sa i përket së ardhmes së tij në merkato, për momentin duket se do të vazhdojë të mbetet te Cesena. Lecce është tërhequr nga gara, ndërsa Cagliari po vlerëson alternativa të tjera. Megjithatë, një ofertë e papritur në ditët e ardhshme nuk përjashtohet.

Për Shpendin, thirrja nga Kombëtarja shqiptare është një shpërblim për rritjen e tij të vazhdueshme dhe një mundësi për të treguar vlerat e tij në arenën ndërkombëtare. Tani, ai synon të shënojë edhe golin e parë me fanellën kuqezi.