Berlini: Putin të mos krijojë iluzione, mbështetja për Kievin s'lëkundet! J.D Vance s'përjashton sanksionet
“Putin nuk duhet të krijojë iluzione se mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën mund të lëkundet” – deklaroi sot ministri Financave dhe zëvendëskancelari gjerman, Lars Klingbeil, pasi mbërriti në kryeqytetin ukrainas, Kiev, për një vizitë të paparalajmëruar.
“Përkundrazi, ne mbetemi mbështetësi i dytë më i madh i Ukrainës në nivel botëror dhe më i madhi në Evropë” – shtoi ai, duke theksuar se “Ukraina mund të vazhdojë të mbështetet tek Gjermania”.
Klingbeil i bëri thirrje Putinit të tregojë vullnet për një proces paqeje në luftën më të përgjakshme në Evropë që prej 80 vitesh.
Nga ana tjetër Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, J.D. Vance deklaroi në një intervistë për NBC se sanksione të reja ndaj Rusisë “nuk janë jashtë diskutimit” si mjet presioni mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Vendimet do t’i marrim rast pas rasti” – theksoi Vance, sipas të cilit rusët nuk duan një armëpushim për arsye të ndërlikuara.
“Ne, natyrisht, kemi shtyrë për një armëpushim. Por, e përsëris, nuk kontrollojmë se çfarë bën Rusia. Sikur të ishte ndryshe, lufta do të kishte mbaruar shtatë muaj më parë” – u shpreh ai, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara ende kanë shumë karta në dorë”.
Ndërkohë luftimet vijojnë. Forcat e armatosura ruse kanë njoftuar se gjatë natës së kaluar kanë shkatërruar 21 dronë ukrainas, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në Moskë, sipas agjencisë Ria Novosti.
Forcat e armatosura ruse kanë njoftuar dhe se kanë pushtuar fshatin Filiya, në rajonin e Dnipropetrovskut, pasi kaluan lumin Volchya dhe thyen mbrojtjet ukrainase. Lajmi u raportua nga Ministria e Mbrojtjes ruse, sipas agjencisë Tass.