Kriza e harruar e Afganistanit, plagët që fshihen poshtë burkave

Që nga ora tetë e mëngjesit, çdo ditë, zona e rezervuar për gratë në qendrën shëndetësore të organizatës “Intersos” në Uruzgan mbushet, orë pas ore, burkë pas burke. Gratë vijnë në këmbë, duke ecur përgjatë shtratit të lumit ku dikur rridhte uji, por tani kanë mbetur vetëm gurë dhe bagëti që kullosin. I mbajnë fëmijët në krahë ose për dore, kujdesen për ta dhe kujdesen për veten, sepse pa një “marham”, një kujdestar mashkull, nuk mund të dalin nga shtëpia.

Kujdestari i tyre mund të jetë edhe një foshnjë njëvjeçare, për sa kohë është mashkull dhe është pjesë e familjes. Në këtë realitet të përmbysur, ku ai që kujdeset varet nga ai që duhet të kujdeset, fëmijët bëhen burra shumë herët dhe vajzat dhunohen shumë shpejt. Në dhomën e pritjes, ato dallohen menjëherë: nga burkat pak më të pastra ose më pak të konsumuara, nga silueta e vogël, dhe pastaj, kur flasin, nga zëri që është e vetmja gjurmë e fëmijërisë së mbetur në jetën e tyre, duke refuzuar një fat të vulosur.

Sadi është trembëdhjetë vjeç. Ka ardhur në klinikë me nënën e saj, Badam, pasi kanë ecur dy orë nën diellin përvëlues të gushtit. Sadi nuk di as të lexojë e as të shkruajë. Nuk ka parë kurrë një shkollë. Ka bërë një jetë të varfër bariu, duke mbledhur prodhime, kur ishte me prindërit dhe vazhdon po njësoj edhe pasi u martua. E tregon fytyrën për pak sekonda. Sytë jeshil të ndezur, në një fytyrë që ka parë shumë më tepër seç duhet në atë moshë. Nga poshtë burkës, dalin vetëm duart e saj, duar të shqetësuara që nuk kanë prekur kurrë një lodër, sepse Sadi thotë se nuk ka pasur kurrë një të tillë. Do të donte shumë të kishte studiuar, por këtu jeta nuk zgjidhet. Jeta durohet dhe përballohet.

Tarin Kot është qyteti kryesor i zones, i ashpër, i izoluar, pa asgjë afër. Qyteti më i afërt është Kandahari, më shumë se 100 kilometra larg. Në veri janë male të pjerrëta e të zhveshura, dhe pas tyre ka shpella dhe shtigje të pafundme. Kjo provincë ka pasur gjithnjë rëndësi simbolike për talebanët. Ajo kontrollohet nga disa nga grupet më të rrepta të pashtunëve (grupi më i madh etnik) në vend. Këtu u zhvendos themeluesi i talebanëve, Mullah Omar, gjatë pushtimit sovjetik në vitet ‘80. Uruzgan ishte provinca e parë që ra në duart e talebanëve në vitin 1994 dhe këtu nisën lëvizjet e para kundër amerikanëve dhe aleatëve.

Dikur, këtu ndodhej “Camp Holland“, baza ushtarake e forcave holandeze dhe australiane. Ata kishin për detyrë të luftonin talebanët, të stërvitnin forcat afgane dhe të zhvillonin projekte për përmirësimin e jetës së popullatës. Misioni quhej “Liria e Qëndrueshme” (Enduring Freedom). Por zgjati pak, si liria, ashtu edhe përpjekjet për përmirësim. Kampi, sipas banorëve, ishte shumë i mbrojtur, me mure të larta dhe barriera mbrojtëse. Talebanët nuk përballeshin drejtpërdrejt, por përdornin prita, sulme vetëvrasëse apo mina.

Vdisnin njerëzit, vdisnin edhe ushtarët. Në vitin 2014, forcat e NATO-s u reduktuan ndjeshëm. Ushtria afgane u dobësua për shkak të mungesës së municioneve, por edhe të motivimit. Dhe pjesa tjetër është historia e një lufte të humbur, që përfundoi keq në gusht të vitit 2021. Kur e sheh këtë vend nga afër, kupton pse dështoi lufta dhe pse kryengritja jo vetëm që nuk u mund, por në fund triumfoi. Ushtarët e quanin këtë zonë “kufiri i fundit“. Amerikanët përpiqeshin të kontrollonin zona, ndërsa militantët fshiheshin në male dhe lugina. Projektet e zhvillimit nuk nisën kurrë vërtet. Organizatat humanitare nuk kishin kushte sigurie për të punuar.

Muhubullah, një bari 34-vjeçar, në moshën 20-vjeçare shkeli mbi një minë tokësore dhe ka kyçet e këmbëve të qepura keq pas shumë operacioneve. Jeton në një shtëpi balte dhe kashte. Thotë se nuk mund të punojë dhe nuk di si të ushqejë gruan dhe tre fëmijët. Por, shton: “Të paktën tani ka siguri. Askush nuk gjuan më, askush nuk vdes më nga lufta.” Por në Afganistanin e sotëm, vdesin nga uria.

Bib gjithashtu jeton në një shtëpi prej balte dhe kashte në Uruzgan, pa ujë të rrjedhshëm dhe me pak energji që sigurojnë disa panele diellore. Ajo nuk e di moshën e saj. Supozon se është martuar në moshën 12-vjeçare, ndoshta më shumë, ndoshta më pak. Nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është se burri i saj është plak tashmë, dhe ata kanë gjashtë fëmijë (katër vajza dhe dy djem). Ajo nuk di si t’i ushqejë. Falë fondeve të Bashkimit Evropian, organizata “Intersos’ i dha një makinë qepëse, me të cilën përpiqet të fitojë ndonjë të ardhur duke qepur rroba që i var në dhomën ku flenë fëmijët.

Të gjithë fëmijët janë rreth saj. Djemtë buzëqeshin, vajzat jo. Më e madhja, Amira, është njëmbëdhjetë vjeç dhe është ulur pranë derës, duke parë jashtë, si të donte të ikte. Por ku? Nuk dihet, asnjë nga këta fëmijë nuk ka parë gjë tjetër veç shtratit të lumit ku shkojnë të marrin ujë, dhe më fatlumët, shkollën.

Për Amirën, shkolla përfundon vitin tjetër. Kështu kërkojnë rregullat e reja talebane për të gjithë Afganistanin. Por në fakt, këtu gjërat nuk kanë ndryshuar: as burkat në rrugë, as shkollimi i vajzave. Edhe kur qeveria pro-perëndimore fliste për përparim, në zonat rurale vajzat nuk shkonin në shkollë. Sipas një raporti të UNICEF-it në dimrin e vitit 2020, pak para rënies së Kabulit, 90% e vajzave në Uruzgan nuk ndiqnin shkollën. E ëma thotë se Amira është më e zgjuara ndër fëmijët. Por Amira, si motrat e saj nëntë dhe tetë vjeç, është tashmë e fejuar. “Rreth 500 dollarë për vajzë”, thotë Bib, “na duhen, sepse përndryshe nuk kemi si të ushqejmë të tjerët.” Sidomos tani, pas ndërprerjes së ndihmave nga Trump në shkurt dhe pakësimit drastik të ndihmave ndërkombëtare, pasi bota është përqendruar te kriza që duken më urgjente, dhe ka harruar Afganistanin dhe popullin e tij.

Që kur talebanët morën pushtetin, katër vjet më parë, vendi është buzë kolapsit ekonomik. Në fillim, ndihmat humanitare mbuluan urgjencat. Më pas, fillimi i vitit solli ndërprerjen e ndihmave nga SHBA-të. Pasojat ishin të menjëhershme dhe paralizuese. Mbi 80% e programeve të USAID-it u ndërprenë. Ndërkohë që vendi po përballet me epidemi të reja si fruthi, malaria dhe poliomieliti, ndërprerja e ndihmave ka ndalur edhe fushatat e vaksinimit. Efektet ndihen kudo, por këtu më shumë. Por bota Perëndimore nuk dëgjon më, sepse dështimi i një lufte 20-vjeçare është ende shumë i rëndë për t’u përballuar, dhe sepse me ata talebanë që tani qeverisin, Perëndimi ka zgjedhur të mos flasë.

Dilema është e thjeshtë dhe mizore: të ndihmosh popullsinë afgane do të thotë, me ose pa dashje, të kalosh përmes talebanëve. Nuk mund të çosh ushqim, ilaçe, ujë apo arsim pa lejen e tyre. Ose bashkëpunon dhe rrezikon të legjitimosh një regjim, ose nuk bashkëpunon dhe lë miliona njerëz të vdesin. Në mes, janë OJQ-të dhe organizatat humanitare, që duhet të veprojnë midis parimit dhe nevojës.

Në vende si Uruzgani kuptohet tragjikisht absurdi i kësaj lufte. Vende që katër vjet më parë ishin të pakalueshme për ndihmat, sot janë të hapura për njerëzit dhe për organizatat. Kështu është hapur kjo klinikë. Kështu, gratë mund të kurohen. Fëmijët mund të trajtohen për kequshqyerje. Dhe ndoshta, mund të mbijetojnë nga uria.

Jan Gula është 17 vjeç, ka një fëmijë trevjeçar, një tjetër njëvjeçare dhe është sërish shtatzënë. Është gati ora një pasdite. Është ulur në një dhomë të klinikës “Intersos” sepse jashtë dielli është përvëlues. Ka ecur tri orë për të ardhur për një vizitë prenatale dhe për të kontrolluar peshën e vajzës së vogël, e kequshqyer si shumë të tjerë. Duhet të ecë edhe tri orë për t’u kthyer. Alternativa është spitali i Tarin Kot-it, shumë larg, dhe askush nuk ka mjete. Ose, të mos kurohet fare.

Edhe ajo e ngre burkën për pak çaste, sa për të treguar që nuk gënjen, që nën atë petk të rëndë blu që i mbulon trupin dhe lirinë, deri para pak kohësh kishte një fëmijë. Ashtu si të gjitha vajzat që martohen në moshën 13-vjeçare. Pastaj mbulon sërish fytyrën dhe trupin, vë dorën mbi bark dhe thotë: “Jam e palumtur.”

Dy fjalë të mprehta, që godasin si gozhda në heshtjen e dhomës, një paralajmërim në heshtjen e botës që e ka braktisur.