Shpërthen bombula e gazit në një magazinë pranë Bashkisë Elbasan, rrezikohen sërisht banesat përreth
Një bombël gazi ka shpërthyer në një godinë e cila përdorej si magazinë nga tregtare ambulante që operojnë në rrugët e qytetit. Ngjarja ndodhi në afërsi të një pallati 15-katësh, shumë pranë godinës së Bashkisë së Elbasanit.
Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave zjarrfikëse, u bë e mundur parandalimi i përhapjes së flakëve, të cilat rrezikonin të përfshinin edhe pallatin ngjitur me magazinën. Fatmirësisht nuk raportohet për të lënduar, por dëmet materiale janë të konsiderueshme.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, shkaku paraprak i zjarrit ka qenë një bombël gazi e vendosur brenda magazinës, e cila ka shpërthyer dhe ka ndezur zjarrin. Zjarrfikësit kanë arritur ta izolojnë bombolën për të parandaluar përhapjen më të madhe të flakëve.
Banorët e pallatit ngjitur shprehen të shqetësuar, pasi kjo nuk është hera e parë që godina në fjalë paraqet rrezik për zonën. Ata kërkojnë që autoritetet të marrin masa të menjëhershme për të shmangur rreziqe të tjera të mundshme në të ardhmen.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për të zbuluar nëse zjarri ishte një incident i rastësishëm apo i shkaktuar qëllimisht.