SYRI TV/ Maliqi s`ka ujë për vaditje, fermerët: Kemi reduktuar të mbjellat, prodhimet po dështojnë

Mungesa e ujit për vaditje po dëmton fermerët në fshatrat e bashkisë së Maliqit. Ata tregojnë se kanë ulur sipërfaqet e kultivuara, por për shkak të mungesës së ujit, po dëmtohen dhe prodhimet e mbjella. Ata që e vuajnë më shumë situatën janë të moshuarit, që detyrohen të punojnë për të siguruar jetesën, por puna u shkon dëm për shkak të mungesës së ujit.

Syri tv

Fermerët në zonën e Maliqit po përballen me një situatë të vështirë këtë vit. Edhe pse kanë reduktuar sipërfaqet e mbjella, mungesa e ujit për vaditje po dëmton edhe sipërfaqet aktuale të kultivuara.

Në fshatrat Leminot dhe Zvirinë, shumë parcela kanë mbetur pa ujë, duke detyruar bujqit të gjejnë zgjidhje të kushtueshme si hapja e puseve private apo transportimi i ujit me depozita dhe fuçi.

Mungesa e ujit ka sjellë ulje të prodhimit, ndërsa çmimet e shitjes së produkteve bujqësore mbeten të ulëta. Për fermerët, kjo nënkupton se nuk arrijnë të mbulojnë as kostot e punës.

Situata është edhe më e rëndë për të moshuarit, të cilët, megjithëse pensionistë, detyrohen të vazhdojnë punën në arë për të siguruar jetesën.

Nga ana tjetër, të rinjtë e shohin gjithnjë e më pak të ardhmen në bujqësi. Shumë prej tyre mendojnë të largohen nga vendi, pasi mungesa e kushteve minimale për punë dhe mungesa e mbështetjes nuk u japin shpresë për një të ardhme më të mire.