Qytetarët mund të thonë ‘Jo’ edhe pas ‘Po’-së
Demokracia është e vetmja shpikje politike që e çliron njeriun nga fatalizmi. Në çdo regjim tjetër, vota është ose e ndaluar, ose e paracaktuar, ose e shndërruar në një ritual ku rezultati dihet paraprakisht. Në demokraci ndodh e kundërta, sepse gjithçka qëndron pezull deri në çastin e fundit. Dhe ajo që e bën edhe më të tmerrshëm këtë mekanizëm për pushtetin është se ai nuk mbaron me hedhjen e fletës në kuti. Ai vazhdon të jetojë edhe pas votës, si një shpatë e varur mbi kokën e qeverisë.
E mira më e madhe e demokracisë nuk është vetëm liria e fjalës, as shpresa e prosperitetit, por e drejta për të ndërruar mendje. Njeriu i thjeshtë mund të hyjë në qendrën e votimit me një mendim dhe të dalë me një tjetër. Ky ndryshim nuk është as dobësi, as kapriço; është esenca e lirisë. Është një shpallje se askush nuk është i lidhur përjetësisht me zgjedhjen e tij. Demokracia thotë: je i lirë të pendohesh, je i lirë të dyshosh, je i lirë të korrigjosh gabimin tënd.
Kjo e drejtë shkatërron çdo teori moralizuese sipas së cilës "populli meriton qeverinë që ka". Jo. Demokracia nuk pranon një dënim të tillë kolektiv. Populli mund të ketë gabuar dje, por sot ka të drejtë të ndryshojë. Mund të ndihet fajtor, por sistemi nuk ia heq të drejtën për të korrigjuar fajin. Përkundrazi, ia njeh si privilegj të paprekshëm.
Pikërisht kjo liri e papërkufizuar, kjo mundësi e përhershme për të ndryshuar mendje, është dhoma e zezë e demokracisë. Asnjë pushtet nuk mund të flejë i qetë përballë saj. Çdo lider, sado i fuqishëm, e di se përtej ekraneve, propagandës dhe sondazheve ekziston një dhomë e errët ku njerëzit, secili më vete, në heshtje, ndërron mendje. Atje nuk hyn dot kamera, nuk futet dot partia, nuk depërton dot frika. Atje njeriu është vetëm me ndërgjegjen e tij dhe me të drejtën që s’i është hequr kurrë: të thotë “jo” aty ku dje tha “po”.
Në Shqipëri, kjo dhomë e zezë është ajo që qeveria aktuale mundohet më së shumti ta kontrollojë. Për më shumë se dymbëdhjetë vite, pushteti i Edi Ramës ka marrë përsipër të vishet me vellon e autoritarizmit. Propaganda e përditshme, spektakli mediatik, sondazhet e porositura, të gjitha synojnë të ngulin në mendjen e qytetarëve idenë se ky pushtet është i përjetshëm; se është këtu falë punës së tij të pandalshme dhe, njëkohësisht, falë pamundësisë së opozitës për të ofruar një alternativë të besueshme. Është një strategji e vjetër: t’i bësh qytetarët të ndihen të pafuqishëm, t’i bindësh se s’ka rrugë tjetër, se gjithçka është e paracaktuar.
Por përditshmëria e shqiptarëve tregon krejt të kundërtën. Çmimet e ushqimeve dhe energjisë janë rritur me mbi 30 për qind gjatë katër viteve të fundit, duke e bërë koston e jetesës të papërballueshme për shumicën e familjeve. Borxhi publik ka kaluar 72 për qind të PBB-së, një barrë që përkthehet në taksa e tarifa më të larta për qytetarët. Paga mesatare neto, edhe pas rritjeve të fundit, mbetet rreth 650 euro, shumë poshtë shpenzimeve reale mujore për një familje katër anëtarësh. Ndërkohë, emigracioni vazhdon të boshatisë vendin: vetëm në vitin 2023 mbi 46 mijë shqiptarë lanë atdheun, kryesisht të rinj, duke zbrazur universitetet dhe qytetet e vogla. Edhe raportet e Bashkimit Evropian e theksojnë se ekonomia shqiptare është përqendruar në duart e një grushti oligarkësh të lidhur me pushtetin, duke penguar konkurrencën dhe duke e bërë zhvillimin të padrejtë.
Këto nuk janë as sondazhe, as opinione. Janë fakte të matshme, të prekshme, që hyjnë çdo ditë në familjet shqiptare. Dhe janë pikërisht këto fakte që ushqejnë dhomën e zezë të demokracisë, aty ku çdo qytetar është i lirë të thotë: “Mjaft”.Historia shqiptare e ka provuar disa herë se kjo e drejtë e heshtur mund të tronditë edhe pushtetet që duken të pathyeshme, sado të përpiqet propaganda të injektojë fatalizëm, dhoma e zezë mbetet aty, e gjallë dhe e pashlyeshme.
Prandaj, kur themi se e mira më e madhe e demokracisë është e drejta për të ndërruar mendje, nuk flasim për një luks, por për thelbin e saj. Është arma e vetme që populli e mban gjithmonë me vete: mundësinë për ta tronditur pushtetin, për ta ndëshkuar, për ta hedhur poshtë. Dhe kjo mund të ndodhë jo vetëm në minutën e fundit para votimit, por edhe një minutë pas saj.