Milan, Tare: Së shpejti vendimi për Boniface, jemi duke bërë vlerësime
Në pritje që nga Casa Milan të vijnë udhëzime të qarta, pozitive ose negative, Igli Tare, në prag të ndeshjes me Cremonese-n, ka përshkruar situatën rreth Boniface:
“Nuk ka pasur vizita shtesë – tha ai për Dazn. – Ne kishim informacion për problemet e së kaluarës, por jemi duke bërë të gjitha vlerësimet për gjendjen shëndetësore të lojtarit. Cilësitë e tij janë të padiskutueshme. Jemi duke u përpjekur të marrim vendimin e duhur, së shpejti do të diskutojmë bashkë me trajnerin dhe do të marrim një vendim përfundimtar. Afat? Nuk i vendosim presion vetes, përkundrazi ndoshta ua vendosim të tjerëve”.
Grupi i punës
Më pas drejtori sportiv i kuqezinjve zgjeroi vështrimin mbi merkaton në përgjithësi:
“Kemi bërë shumë shitje? Pas punës së bërë në këto tre muaj qëndron një grup vendimtar. Furlani, Ibra, Moncada dhe vetë Allegri, i cili me stafin e tij ka bërë një punë të jashtëzakonshme në valorizimin e këtyre lojtarëve që ne i kemi shitur. Ka qenë një punë fantastike e gjithë këtij grupi. Musah dhe Chukwueze? Jemi duke vlerësuar. Duke luajtur vetëm një ndeshje në javë, bashkë me Max po shqyrtojmë gjërat më të mira për t’u bërë. Nëse Allegri më ka kërkuar një qendërmbrojtës? Jo”.