Arsenali shkatërron Leeds-in, dygolësh nga Timber dhe Gyokeres

Arsenali vijoi me formën e shkëlqyer në këtë start sezoni, duke mposhtur Leeds-in 5-0 në “Emirates”, fitore që e ngjit përkohësisht në krye të Premier League-s me gjashtë pikë të plota.

Ndeshja nisi me raste nga të dyja palët, me Ødegaard dhe Gyökeres që iu afruan golit, ndërsa David Raya reagoi mrekullisht ndaj një goditjeje me kokë të Struijk. Avantazhi erdhi nga një këndore, ku Declan Rice asistoi Jurrien Timber për golin e parë. Holandezi më pas u kthye në protagonist sërish, duke shërbyer një asist perfekt për Bukayo Saka, i cili realizoi bukur me të djathtën pak para pushimit.

Në pjesën e dytë, Calafiori nisi aksionin për golin e parë të Gyökeres me fanellën e Arsenalit, që shënoi në shtyllën e afërt. Megjithatë, gëzimi u zbeh për pak çaste, pasi Saka u detyrua të largohej i dëmtuar. Pa u ndalur, Arsenali realizoi golin e katërt, sërish pas një këndoreje, me Timber që gjeti rrjetën mes një rrëmuje në zonë.

Në minutat e fundit, debutuesi 15-vjeçar Max Dowman fitoi një penallti, të cilën Gyökeres e shndërroi në gol për dopietën personale dhe rezultatin përfundimtar 5-0.

Me këtë sukses, Arsenali arrin rekordin e 43 ndeshjeve radhazi pa humbje në shtëpi ndaj skuadrave të sapopromovuara, ndërsa Leeds sheh të ndërpritet seria prej shtatë fitoresh rresht.