Josa: Duhet të ishim më të duruar, goli nuk vjen vetëm nga sulmi

Trajneri i Bylisit, Mirel Josa, pas barazimit pa gola ndaj Tiranës, u shpreh i kënaqur me disa aspekte të lojës së skuadrës së tij, por gjithashtu vuri theksin te mungesa e efikasitetit dhe lodhja në minutat e fundit. Sipas tij, ekipi duhet të tregojë më shumë durim dhe kërkesë në fazën sulmuese për të shfrytëzuar rastet e krijuara.

“Goli nuk mund të vijë vetëm në pjesën ofensive. Duhet të ishim më në gatishmëri, sidomos në pjesën e dytë, dy lojtarët e qendrës së mesfushës. Në 10 minutat e fundit pati disa shenja lodhjeje dhe probleme, prandaj duhej të ishim më të duruar,” tha Josa.

Tekniku i ballshiotëve analizoi edhe skemën e lojës dhe rolin e lojtarëve kryesorë:

“Luajtëm me vendosje 4-3-3, ku mesfushorët duhej të ishin më efikasë në zonën kundërshtare. Nuk pati shoqërim të duhur kur erdhën krosimet nga krahët, një problem që e kanë edhe skuadrat e mëdha. Kemi pasur epërsi numerike në krahë, sidomos me shpejtësinë e Kamarasë, ndërsa gjendja e mirë e Përndrecës në mbrojtje na ndihmoi shumë. Në pasin e fundit, megjithatë, patëm probleme.”

Në fund, Josa pranoi se skuadra e tij duhet të kërkojë më shumë në fazën ofensive, duke theksuar se pritet edhe afrimi i një sulmuesi të parë:

“E goditëm portën me Abazajn, por nuk mund të bëhen të gjitha rastet gola. Duhet të jemi më kërkues në ditët në vazhdim.”