Mile pas barazimit: Nuk jam i kënaqur, Tirana duhet të tregojë më shumë agresivitet
Trajneri i Tiranës, Vangjel Mile, doli i pakënaqur pas barazimit me Bylisin, duke theksuar se skuadra e tij kishte potencial për të marrë më shumë nga kjo sfidë. Ai u ndal si te problemi i mungesës së agresivitetit në fazën sulmuese, ashtu edhe te nevoja për të konsoliduar grupin.
“Ishim përgatitur për një ndeshje të vështirë, pasi Bylisi është ekip agresiv që na krijoi probleme. Nuk jam i kënaqur nga rezultati, kishim mundësi të merrnim më shumë. Jemi në kolaudim dhe presim 2-3 lojtarë që nuk janë ende në formën e tyre. Po ashtu, jemi në bisedime për një qendërmbrojtës. Nuk është më momenti për merkato, duhet të konsolidohemi sa më shpejt,” u shpreh Mile.
Tekniku bardheblu nënvizoi se mungesa e qartësisë në fazën ofensive ndikoi drejtpërdrejt në rezultat:
“Doja më shumë nga kjo sfidë. U munduam të dilnim rrjedhshëm, por nuk krijuam raste të mjaftueshme dhe nuk ishim agresivë në sulm. Nëse do ta kishim bërë këtë, do të dilnim me tri pikë. Duhet të përmirësohemi në kërkimin e hapësirave dhe menaxhimin e lojës, pasi vetëm kështu vijnë rezultatet.”
Mile foli edhe për gjendjen e skuadrës, ku spikasin disa mungesa të rëndësishme:
“Kola me shumë gjasa mund të humbasë sezonin, ndërsa Meta është një tjetër mungesë e ndjeshme, pasi është lojtar polivalent. Dëmtimi i Dembele nuk është serioz. Jemi në pritje të një afrimi cilësor për qendër të mbrojtjes. Tabeku është lojtar që mbulon të dyja rolet, si sulmues krahu edhe qendre.”
Në fund, trajneri i Tiranës e bëri të qartë se ambiciet e klubit janë më të mëdha se thjesht një vend në katërshe:
“Duhet të jemi pragmatistë dhe gjithçka do t’ia lëmë fushës. Nëse nuk shënojmë dhe nuk japim maksimumin, nuk do të arrijmë objektivat. Tirana ka synime madhore, nuk mund të mjaftohemi me katërshe. Objektivi është të triumfojmë.”