Bylisi drejt stadiumit të ri modern, Kapllanaj jep lajmin e madh për tifozët
Presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka dhënë një lajm të rëndësishëm për mbështetësit e skuadrës mallakastriote, në një prononcim para sfidës me Tiranën. Ai ka zbuluar se shumë shpejt do të nisë projekti i ndërtimit të një stadiumi të ri, një investim që do t’i japë klubit kushte më moderne dhe komoditet për tifozët.
“Fillimisht kishim planifikuar të kryenim disa rikonstruksione në impiantin aktual, por vendimi përfundimtar është ndërtimi i një stadiumi të ri. Në bashkëpunim me Qeverinë dhe Federatën, kemi marrë garanci që të nisë puna dhe shpresojmë që nga muaji janar të fillojë ndërtimi i një impianti modern e dinjitoz për Bylisin,” u shpreh Kapllanaj.
Numri një i klubit foli edhe për merkaton, duke theksuar se është i kënaqur me afrimet e deritanishme, por njëkohësisht theksoi se tregu për Bylisin mbetet gjithmonë i hapur: “Ne punojmë gjatë gjithë vitit për të forcuar ekipin, qoftë me afrime të reja, qoftë me largime të planifikuara.”
Ky zhvillim shihet si një hap i madh për klubin mallakastriot, që synon të konsolidohet jo vetëm në fushë, por edhe në infrastrukturë, duke i dhënë tifozëve një shtëpi të re futbolli.