Vdekja e Artur Zhejit/ Ilir Meta: Një humbje e madhe, një mik dhe intelektual i pazëvendësueshëm

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar për ndarjen nga jeta të gazetarit dhe analistit të njohur, Artur Zheji. Përmes një statusi në FB, Meta ka vlerësuar figurën e Zhejit si një profesionist brilant dhe intelektual të angazhuar në mbrojtje të lirisë së medias dhe shtetit të së drejtës.

 “Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit profesionist dhe analistit brilant, Artur Zheji,” shkruan Meta, duke theksuar kontributin e tij të veçantë jo vetëm në fushën e medias, por edhe në jetën publike dhe politike të vendit.

Postimi i plotë në FB i Ilir Metës:

Me pikëllim të madh mora lajmin për ndarjen e parakohëshme nga jeta të gazetarit profesionist dhe analistit brilant, Artur Zheji.
Një intelektual i angazhuar, veçanërisht në mbrojtje të pavarësisë së medias, vlerave të lirisë dhe parimeve të shtetit të së drejtës, Zheji udhëhoqi edhe si bashkëkryetar Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës, duke dhënë një kontribut të paharruar politik e shoqëror që përherë do të vlerësohet me respekt.
Është trishtim i madh kur një mik dhe një profesionist si ai humbet jetën në mënyrë kaq të papritur dhe në kulmin e pjekurisë jetësore dhe profesionale.
Një humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme, jo vetëm për familjen e tij, por edhe për komunitetin e gazetarëve, me të cilët ndaj ngushëllimet e mia më të sinqerta!
I paharruar kujtimi i Tij! Të prehet në paqen e merituar!