Bytyçi: Kosova po vuan mungesën e vëmendjes ndërkombëtare - Diplomacia amerikane ka ndryshuar qasje

Eksperti për marrëdhënie ndërkombëtare, Enver Bytyçi, ka ngritur shqetësimin për mungesën e vëmendjes nga faktori ndërkombëtar ndaj zhvillimeve politike në Kosovë.

Në një intervistë në Syri TV, ai tha se ndërhyrja dhe angazhimi i diplomacisë perëndimore, veçanërisht i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndodhet në nivelin më të ulët historik, çka ka ndikuar në thellimin e krizës së brendshme politike në vend. Bytyçi thekson se, ndryshe nga e kaluara kur SHBA kishin rol aktiv, administrata aktuale ka ndryshuar qasje, duke i dhënë udhëzime ambasadave të shmangin ndërhyrjet në punët e brendshme të vendeve ku veprojnë.

Enver Bytyçi: Sigurisht që vëmendja e ndërkombëtareve dhe ndërhyrja SHBA-ve, diplomacisë amerikane por dhe sigurisht të shteteve të tjera, në problemet politike të brendshme të Kosovës është në minimum historik. Është e natyrshme që Kosova dhe politika e saj të kishte një vëmendje të shtuar të komunitetit ndërkombëtar, sidomos atij perëndimor për shkak se shteti i Kosovës është një vend i cili ka marrë shtetësinë përmes ndërhyrjes së armatosur së aleancës atlantike dhe për pasojë vendet e kësaj aleance derisa Kosova të pranohet në OKB, janë bashkëpërgjegjës për zhvillimet atje dhe për ndryshimet që duhet të bëhen.

Por në rastin konkret pas ardhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, shikoj që vëmendja dhe interesi i SHBA ose më saktë, politika dhe diplomacia amerikane ka ndërruar qasje. Është tashmë i njohur fakti se sekretari i shtetit Marco Rubio ka dhënë porosi dhe madje ka urdhëruar që ambasadat në vende të ndryshme të botës, të mos ndërhyjnë në punët e vendeve ku ata shërbejnë. Siç ka ndodhur me administratën e Joe Biden.

Mendoj që kemi një vëmendje të munguar. Por, mendoj dhe tjetrën që klasa politike në Kosovë, pikërisht në këtë moment duhet të dëshmonte aftësinë e saj për bashkëpunim dhe për të krijuar zgjidhje për problematikat që krijohen atje, në rastin konkret për krijimin e institucioneve dhe fillimisht për zgjedhjen e Kryetarit të Parlamentit, por as kjo s’po ndodh. Mesa duket, në Kosovë, politika ka vepruar nëpërmjet një autoritarizmi diplomatik të 5 vendeve të ‘kuintit’ dhe BE. Për pasojë, Kosova mendoj se po vuan mungesën e qartësisë dhe të saj po vuan një lloj përçarje dhe ndarje që ekziston tej limiteve në politikën e Kosovës.