Ndërron jetë gazetari i njohur, Artur Zheji
Gazetaria shqiptare në zi pas ndarjes nga jeta të një prej emrave më të njohur të saj, Artur Zheji.
Ngjarja tragjike ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin bregdetar të Sarandës, ku Zheji ndodhej për pushime me familjen.
Sipas informacioneve paraprake, gazetari 63-vjeçar ka qenë duke drekuar në një restorant në rrugën ‘Butrinti’, bashkë me bashkëshorten dhe djalin, kur papritur ka pësuar një arrest kardiak.
Ai është transportuar menjëherë me urgjencë drejt spitalit rajonal ‘Petro Nako’, por, fatkeqësisht, ka mbërritur pa shenja jete.
Artur Zheji ishte një figurë e spikatur në media dhe analizën politike, vdekja e tij përbën një humbje për opinionin publik dhe median në Shqipëri.
Sarandë/ Informacion paraprak
Sot, rreth orës 16:10, në afërsi të rrugës ‘Butrinti’, shtetasi A. Zh., 63 vjeç, banues në Tiranë, dyshohet se ka shfaqur probleme shëndetësore gjatë qëndrimit në një restorant dhe gjatë transportit drejt spitalit me autoambulancë, ka ndërruar jetë.
Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.