Nottingham Forest mund të rikthejë Mourinho-n në Premier League

José Mourinho është një nga kandidatët kryesorë për t’u ulur në stolin e Nottingham Forest, nëse klubi vendos të shkarkojë trajneri aktual, Nuno Espírito Santo. Portugezi, i cili sezonin e kaluar udhëhoqi skuadrën drejt një kampionati mbresëlënës, ka pranuar publikisht se marrëdhënia e tij me pronarin Evangelos Marinakis nuk është më e mirë dhe se mes tyre ekzistojnë divergjenca të thella.

Pavarësisht se klubi ka mohuar zyrtarisht ndarjen me Nuno-n, e ardhmja e tij duket e pasigurt. Sipas medieve angleze, drejtuesit e Forest kanë nisur të mendojnë për pasardhësin e mundshëm. Përveç Mourinho-s, në listë figurojnë edhe Ange Postecoglou, i larguar nga Tottenhami pas fitimit të Europa League-s, si dhe trajneri i Celtic, Brendan Rodgers.

Sidoqoftë, Nuno pritet të drejtojë ekipin në fundjavë kundër Crystal Palace, por dyshimet për qëndrimin e tij mbeten të forta. Konfliktet e tij nuk lidhen vetëm me pronarin, por edhe me drejtorin sportiv Edu, me të cilin ka mosmarrëveshje mbi zgjedhjen e lojtarëve dhe ndërtimin e skuadrës.

Një rikthim i Mourinho-s në Premier League do të ishte një lajm i bujshëm për futbollin anglez. Trajneri portugez, i njohur për karizmën dhe sukseset e tij me Chelsea, Manchester United e Tottenham, shihet si një profil i aftë për t’i dhënë stabilitet dhe personalitet Nottingham Forest, nëse ky vendim konkretizohet.