SYRI TV/ Fluks në urgjencën pediatrike në Shkodër, afro 160 fëmijë paraqiten për vizitë
Rritet numri i vizitave të fëmijëve që paraqiten në urgjencën e pediatrisë në Shkodër. Mjekja e këtij reparti, Greta Naraçi, thotë se numri i vizitave ka shkuar deri në 160 në ditë. Sipas saj, në vend po qarkullon një virozë që prek kryesisht të vegjlit, ndërsa u bën thirrje prindërve të kenë kujdes, pasi virusi shoqërohet me temperaturë agresive që zgjat.
SYRI TV
Temperaturat e larta, të cilat kanë prekur territorin e vendit tonë, kanë shtuar dhe numrin e vizitave ambulatore në repartin e pediatrisë në spitalin rajonal të Shkodrës. Kjo situatë pranohet dhe nga shefja e këtij reparti, Greta Naraçi, e cila bën me dije se numri i vizitave gjatë fundjavës ka arritur deri në 160. Sipas mjekes pediatre, shtimi i vizitave lidhet me një virus i cili qarkullon jo vetëm tek fëmijët, por dhe tek të rriturit, dhe shoqërohet me simptoma si të vjella, diarre e temperaturë.
Ndërkohë, mjekja shton se qarkullimi i këtij virusi shoqërohet me një zgjatje të temperaturës. Më tej, ajo tregon se pacientët më të shumtë janë emigrantët e ardhur nga jashtë vendit.
Ndër të tjera, Naraçi bën thirrje që të mos abuzohet me përdorimin e antibiotikëve, pasi kjo mund të shkaktojë komplikacione serioze në shëndet.