Elon Musk u përpoq të rekrutonte Mark Zuckerberg-un kur ofroi 100 miliardë dollarë për OpenAI
Elon Musk ka tentuar të përfshijë Mark Zuckerberg-un në ofertën e tij pothuajse 100 miliardë dollarëshe për të marrë kontrollin e OpenAI këtë vit, sipas një dokumenti gjyqësor, në atë që do të kishte qenë një aleancë e rrallë mes dy miliarderëve që më parë kishin ftuar njëri-tjetrit të bënin një "përleshje në kafaz".
Si reagim ndaj pyetjeve ligjore, Musk i tha OpenAI se kishte komunikuar me shefin ekzekutiv të Metës rreth mundësisë së ndihmës për të financuar ofertën prej 97.4 miliardë dollarësh për krijuesin e ChatGPT-së në shkurt, thuhej në dokument. As Zuckerberg dhe as Meta nuk kanë firmosur një letër qëllimi për t’u bashkuar, sipas të njëjtit burim.
Çdo partneritet i mundshëm mes Musk-ut dhe Zuckerberg-ut do të përbënte një kontrast të fortë me ndërveprimet e vitit 2023, kur të dy u tallën publikisht me njëri-tjetrin në internet, deri në përpjekjen për të organizuar një duel fizik, pasi Zuckerbergprezantoi Threads si rival të platformës X të Musk.
Meta dhe OpenAI refuzuan të komentojnë. Musk nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Lajmi vjen në një kohë kur Musk, Zuckerberg dhe shefi i OpenAI-t, Sam Altman, janë të përfshirë në një betejë për talentet e inteligjencës artificiale, duke u përpjekur të rekrutojnë studiuesit më të mirë të njëri-tjetrit në garën për të ndërtuar gjeneratën e ardhshme të modeleve të IA-së.
Musk është bashkëthemelues i OpenAI dhe ka investuar dhjetëra miliona dollarë në kompaninë në hapat e saj të parë, përpara se të largohej nga bordi në vitin 2018 dhe të krijonte grupin e tij, xAI, në vitin 2023.
Në shkurt, ai bëri një ofertë për OpenAI, fillimisht duke tentuar të detyronte një ankand të entitetit jofitimprurës që kontrollon kompaninë dhe më pas duke ofruar ta blinte plotësisht.
Oferta kishte mbështetjen e disa prej investitorëve afatgjatë të Musk-ut, përfshirë Valor Equity Partners, Baron Capital, Atreides Management, Vy Capital, 8VC dhe drejtuesin ediatikAri Emanuel, si dhe kompaninë e Musk-ut, xAI.
Por ajo u refuzua menjëherë nga OpenAI dhe u cilësua si një manovër publicitare nga persona pranë kompanisë.
Musk ka kritikuar prej kohësh përpjekjet e OpenAI për t’u shndërruar në kompani fitimprurëse, duke thënë se kjo tradhton misionin themelues të grupit. Vitin e kaluar, ai nisi një proces gjyqësor për të bllokuar lëvizjen.
Që atëherë, OpenAI i ka zbutur planet, duke lënë bordin jofitimprurës në kontroll të një filiali fitimprurës.
Në dokumentin gjyqësor, që është pjesë e padisë së Musk-ut, OpenAI i kërkoi gjykatës të detyrojë Metën të dorëzojë dokumentet e komunikimeve me Musk-un.
OpenAI gjithashtu theksoi se Meta ka qenë "duke shpenzuar shumë" për të zhvilluar kapacitetet e veta të IA-së, përfshirë edhe ofrimin e paketave të pagesave mbi 100 milionë dollarë për studiuesit kryesorë të OpenAI dhe të tjerë.
Meta i kërkoi gjykatës të refuzojë kërkesën e OpenAI, duke theksuar se Meta nuk iu bashkua kurrë ofertës. / Financial Times- Syri.net