Teliti: Bashkia e Tiranës, simbol i dështimit financiar dhe mungesës së transparencës. Vetëm 20% e investimeve publike të realizuara
Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, ka publikuar sot një deklaratë ku kritikon ashpër qeverisjen e Bashkisë së kryeqytetit, duke e përshkruar atë si “të degraduar dhe të kapur nga interesa të ngushta politike”.
Teliti akuzon administratën e Bashkisë për ndërtime pa leje, shkatërrimin e hapësirave publike dhe braktisjen e procesit të rindërtimit, ndërsa thekson se qytetarët janë mashtruar me “propagandë dhe premtime boshe”.
Sipas të dhënave zyrtare për shtatë muajt e parë të vitit 2025, Bashkia e Tiranës ka shpenzuar 13 milionë euro më shumë për paga dhe shpenzime operative, duke mbajtur në këmbë një administratë të “fryrë dhe politikisht të kapur”. Teliti thekson se administrata është rritur trefish në 10 vitet e fundit, pa reflektuar mbi efikasitetin apo nevojën për shërbime publike më cilësore.
Investimet publike, thelbi i çdo qeverisjeje vendore, janë realizuar vetëm në masën 20% të planifikimit për periudhën janar-korrik, me vetëm 35 milionë euro të shpenzuara, sipas deklaratës. Programet kryesore buxhetore, sipas Telitit, kanë realizime të papranueshme: mbrojtja nga zjarri 19%, zhvillimi ekonomik 11%, shërbime bujqësore 34%, ujitje dhe kullim 9%, rrjeti rrugor rural 18%, planifikimi urban 13%, strehimi 4–5% dhe arsimi bazë dhe i mesëm 38%.
“Në vend që të përqendrohet në nevojat e qytetarëve, Tirana është kthyer në një qytet të shpenzimeve luksoze për propagandë dhe evente me miliona euro, ndërsa periferi dhe zonat rurale vuajnë mungesën e infrastrukturës bazë,” tha Teliti.
Partia Demokratike konsideron këtë situatë si një uzurpim të qeverisjes vendore dhe rikujton se qeverisja pa votë nuk është demokraci.
“Në këtë kontekst, zgjidhja e vetme për të rikthyer normalitetin dhe funksionimin demokratik në Bashkinë e Tiranës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme të lira. Pa zgjedhje të lira, nuk ka zgjidhje,” përfundoi nënkryetari Teliti.
Deklarata e plotë:
Të nderuar qytetarë,
Tirana është sot pasqyra më e qartë e një qeverisjeje vendore të degraduar, të kapur nga interesa të ngushta politike, ku përfaqësimi është zëvendësuar nga emërimi, dhe transparenca nga arroganca.
Pasi dështuan me menaxhimin e territorit në kryeqytet, duke lejuar qëllimisht ndërtime pa leje dhe shkatërrimin e hapësirave publike, pasi braktisën procesin e rindërtimit dhe mashtruan qytetarët me propagandë e premtime boshe, Bashkia e Tiranës po përballet tani me një krizë të rëndë të qeverisjes së saj financiare dhe buxhetore.
Sipas të dhënave zyrtare të vetë bashkisë për 7 muajt e parë të vitit 2025, vihet re një shpërdorim flagrant i taksave të qytetarëve.
13 milionë euro më shumë janë shpenzuar për paga dhe shpenzime operative, për të mbajtur në këmbë një administratë të fryrë dhe politikisht të kapur.
Kjo administratë është rritur trefish në 10 vitet e fundit, pa asnjë reflektim mbi eficiencën apo nevojën për shërbim publik më cilësor.
Ndërkohë, investimet publike, thelbi i çdo qeverisjeje vendore që funksionon në shërbim të komunitetit, janë neglizhuar plotësisht.
Në këtë 7-mujor vetëm 35 milionë euro investime janë realizuar, që përbëjnë vetëm 20% të planifikimit për periudhën janar-korrik, duke lënë qytetarët pa infrastrukturë, pa shërbime dhe pa zhvillim.
Gjithashtu, të shumta janë programet kryesore buxhetore që kanë realizime të papranueshme. Konkretisht:
Mbrojtja nga zjarri dhe mbrojtja civile 19% realizim
Zhvillimi ekonomik vetëm 11%
Shërbime bujqësore dhe siguria ushqimore 34%
Ujitja dhe kullimi 9%
Rrjeti rrugor rural 18%
Planifikimi urban 13%
Strehimi 4%, strehimi social 5%
Arsimi bazë dhe i mesëm 38%
Këto shifra janë tregues i qartë i një administrate që nuk qeveris, janë dëshmi e një pushteti vendor që nuk ka as vizion, as vullnet, as legjitimitet për të çuar përpara interesin publik.
Tirana është kthyer në një qytet të shpenzimeve luksoze për propagandë dhe evente me miliona euro, ndërsa komunitetet në periferi dhe zonat rurale vuajnë mungesën e ujit, të kanalizimeve, të ndriçimit publik dhe të infrastrukturës bazë, përfshirë atë arsimore.
Partia Demokratike e konsideron këtë situatë të papranueshme dhe rikujton qytetarët dhe institucionet se qeverisja pa votë është uzurpim, jo demokraci.
Ndaj ne ritheksojmë kërkesën tonë të qartë:
zgjidhja e vetme për të rikthyer normalitetin dhe funksionimin demokratik në Bashkinë e Tiranës është mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme të lira dhe.
Pa zgjedhje te lira, nuk ka zgjidhje!
Ju faleminderit!