Historia makabër e europianëve që hanin mumie për shëndet të mirë
Të hash mumie mund të duket e paimagjinueshme, por në Europën e shekullit XV ky lloj kanibalizmi mjekësor predikohej si kurë për dhimbje koke, probleme të stomakut dhe madje edhe për kancerin.
Për shekuj me radhë, trupat e balsamosur ishin të çmuar në gjithë kontinentin, jo për rëndësinë e tyre historike, por për përfitimet e supozuara mjekësore. Ja pse njerëzit dikur i lakmonin dhe i hanin mumiet.
Si filluan njerëzit të hanin mumie?
Historia e “mjekësisë së kufomave”, praktika e konsumimit të pjesëve të mumieve egjiptiane dhe më pas e kufomave të tjera të balsamosura, nisi në shekullin XI. Sipas historianit Karl Dannenfelt, gjithçka filloi nga një sërë përkthimesh të gabuara dhe keqkuptimesh.
Në qendër të historisë është një fjalë: mumia. Kjo substancë, e çmuar për cilësitë shëruese, gjendej në një mal në Persi, ku dilte nga asfalt i zi në shkëmb.
E quajtur sipas fjalës vendase për dyllin, “mum”, substanca përdorej për qëllime të ndryshme mjekësore dhe fitoi reputacion në botën arabe si e shtrenjtë, e vlefshme dhe efektive.
Por kur europianët perëndimorë nisën të përballeshin me botën islame dhe të përkthenin tekstet e saj, një përkthim i gabuar solli konfuzion të madh mbi kuptimin e mumies.
Sipas Dannenfelt-it, përkthyes të shekujve XI-XII e identifikuan gabimisht mumian si një substancë që rridhte nga trupat e ruajtur në varret egjiptiane. Një pjesë e ngatërresës vinte nga ngjashmëria e fjalës mumia me mummy (mumie), por edhe nga fakti se disa mumie egjiptiane ishin balsamosur me asfalt. Sot dihet se kjo nuk ishte metodë universale.
Megjithatë, europianët e magjepsur nga zbulimet egjiptiane e përvetësuan idenë, dhe kështu mumia u lidh me trupat e balsamosur në vend që të mbetej te asfalti i çmuar persian.
Çfarë është kanibalizmi mjekësor?
Përkthimet e gabuara dhe keqkuptimet mjekësore u kombinuan me një tjetër besim të rremë, por të përhapur: se trupi i njeriut përmbante fuqi shëruese që mund të “kurojnë” njerëz të tjerë nga sëmundje të ndryshme.
Prej brezash, njerëzit kishin praktikuar atë që sot njihet si kanibalizëm mjekësor. Nga besimi se gjaku i gladiatorëve shëronte epilepsinë, deri te përdorimi i yndyrës njerëzore në ilaçe shtëpiake, kanibalizmi mjekësor ishte realitet në Europën mesjetare. Madje edhe mbreti Çarls II thuhet se ka pirë një tretësirë të quajtur “Pikat e Mbretit”, e përgatitur me kafka njerëzore.
Me ardhjen e mumias, tashmë e quajtur edhe “mumie”, mjekët menduan se kishin zbuluar një burim të ri produktesh shëruese të bëra nga pjesë të trupit të njeriut.
Mumia përshkruhej si ilaç për gjithçka, nga dhimbjet e kokës deri te infarktet, dhe nisi një etje e madhe për mumie. Papritur, njerëzit nisën të plaçkitnin varret egjiptiane jo vetëm për stoli apo qeramikë, por edhe për trupat. Tregtarë të zgjuar filluan t’i mblidhnin dhe t’i shisnin mumiet.
Kërkesa shpejt tejkaloi ofertën, duke nxitur tregtinë e mumieve të rreme. Grabitësit e varreve dhe tregtarë të pandershëm filluan të kthenin kufoma të freskëta, trupat e kriminelëve të ekzekutuar, skllevërve apo viktimave të tjera, në “mumie” për të përfituar nga etja e tregut.
“Grabitësit e trupave vjedhin natën kufomat e të varurve,” shkruante një dëshmitar, duke shtuar se trupat balsamoseshin me kripë e ilaçe, thaheshin në furrë dhe më pas bluhej pluhur që farmacitë e përzienin në ilaçe të ndryshme.
Epoka viktoriane dhe egjiptomania
Megjithëse skepticizmi për mumian u shtua gjatë shekujve, magjepsja pas mumieve vetëm u forcua.
Në Angli, gjatë epokës viktoriane, egjiptomania u bë aq e fortë saqë hapja publike e mumieve u kthye në argëtim në salla leksionesh e spitale. Madje në shekullin XIX, ato zhvilloheshin edhe nëpër shtëpi private, teksa britanikët ktheheshin nga ekspeditat arkeologjike, shërbimet koloniale apo udhëtimet turistike me mumie që kishin grabitur nga varret egjiptiane.
Pavarësisht ndalimit të eksportit të antikiteteve, europianët vazhduan të kërkonin mumie për kureshtje ose për receta mjekësore. Vetëm në fund të shekullit XIX përdorimi i mumias si ilaç mori fund.
Megjithatë, magjepsja e botës pas “kurave” të lashta egjiptiane nuk është zhdukur. Mjafton të shihni raftet e kremrave në një farmaci sot: produkte kozmetike e kremra “magjikë” ende përdorin motive të Egjiptit të lashtë në reklamimin e tyre.
Ne mund të mos hamë më mumie ose të praktikojmë kanibalizëm mjekësor për të ruajtur shëndetin, por magjia e Egjiptit të lashtë mbetet po aq e fortë si dikur. / National Geographic - Syri.net